E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Pranojmë çdo formë dialogu me opozitën

Mazhoranca e djathtë pranon çdo lloj dialogu me opozitën që çon në zgjidhjen e ngërçit politik, duke e garantuar atë se do të ketë çdo hapësirë kontrolli mbi pozitën qeverisëse. Madje, aleatja më e afërt në qeveri, Lëvizja Socialiste për Integrim, është gati të marrë pjesë në një tryezë politike, të thirrur eventualisht nga Presidenti i Republikës. Deklarata është e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, i cili dje foli për mundësinë e një dialogu mes palëve, ashtu siç kërkon edhe Brukseli. Meta bën të qartë se në këtë rast nuk paragjykon as arbitrin, Presidentin e vendit, Bamir Topi. “Ne jemi pro çdo lloj forme të dialogut dhe pa asnjë diskutim ne kemi konsideratën më të lartë për Presidentin e Republikës, për pozicionin e Kushtetutës, por edhe për qëndrimet e tij që ka mbajtur për çdo çështje”, - theksoi z. Meta. Por, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm bën të qartë se qeveria nuk mund ta detyrojë opozitën për dialog, ndërkohë që lidershipi i opozitës ka zgjedhur një strategji destruktive për fat të keq. Ai vuri në dukje se qeveria i ka bërë të gjitha propozimet dhe është e hapur për çdo propozim që është legjitim, që është i arsyeshëm, që ndihmon për forcimin e demokracisë dhe institucionet demokratike, që rrit garancitë e opozitës në institucione dhe në të gjitha proceset demokratike, por natyrisht duhet që i vetmi lëshim i PS-së, të jetë braktisja e bojkotit si një strategji destruktive për të sjellë me çdo kusht krizë, e cila në fakt, thjesht thellon krizën pa krye ku ka hyrë ky lidership. Në emër të qeverisë, z. Meta siguron opozitën e majtë të kryesuar nga Edi Rama se në asnjë rast nuk do të pengohet për të ushtruar kontrollin mbi mazhorancën në pushtet. Ndaj, ai i bën thirrje PS-së dhe deputetëve të saj që t’i japin fund bojkotit dhe të zënë vendet në Parlament, aty ku zhvillohet debati dhe reformat. “Kjo nuk është e mirë as për Partinë Socialiste dhe natyrisht që nuk është mirë as edhe për imazhin e vendit. Në çdo moment ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të bisedojmë, të dialogojmë dhe të garantojmë të gjitha hapësirat e nevojshme që i nevojiten opozitës për të kryer funksionet e saj të kontrollit mbi mazhorancën, si në çdo shoqëri demokratike”, - deklaroi z. Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›