Islami: Caktimi im në delegacionin e KiE-së, jo i gabuar
Kastriot Islami, deputeti i PS-së, për emrin e të cilit u pezullua për 24 orë kredencialet e delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës, nuk e ka cilësuar të gabuar emërimin e tij në përbërjen e delegacionit nga ana e kryeparlamentares Jozefina Topalli. Nga ana tjetër, ai nuk është njohur me letrën që kolegia e tij e partisë, Arta Dade, ka dërguar në Asamblenë e KiE-së për këtë shkak, por është shprehur i mendimit se kjo letër duhej të dërgohej në Parlamentin shqiptar dhe jo në KiE, ku imazhi i Shqipërisë u cenua nga pezullimi që iu bë delegacionit. “Unë kam qenë anëtar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së dhe ndërkohë jam sekretar i PS-së për çështjen ligjore dhe deputet i saj dhe për më tepër, kam pasur një pozicion që për Shqipërinë është një rast vlerësimi, si raportues për Gjeorgjinë në Asamblenë e KiE-së”, - tha Islami dje, duke shpjeguar kështu arsyet që mund ta kenë shtyrë Topallin të vendosë emrin e tij në listën e delegacionit. Sipas Islamit: “Këto janë arsyet që ndoshta emri im vazhdon të jetë në delegacion, ndërkohë që sipas tij, nga pikëpamja legale natyrisht do të sqarohet kur deputetët e PS-së të bëjë betimin në Parlament”. Ai tha më tej se ishte dakord me qëndrimin e partisë së tij që kishte kundërshtuar mënyrën se si Topalli e ka formuluar formacionin e deputetëve që shkuan në KiE, por nga ana tjetër pranoi se nuk e dinte se çfarë përmbante letra e Dades. “Nëse kërkohet qartësim për kredencialet, është normale, pasi PS nuk është në Parlament, por kjo duhej bërë në Parlamentin shqiptar dhe s’ishte nevoja të shkonte në Strasburg, ku sigurisht imazhi i vendit prishet sa herë nuk zgjidhet një çështje brenda vendit, por delegohet në institucionet ndërkombëtare”, - theksoi Islami në një intervistë për TV News 24.