E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ngërçi politik”, Bumçi: Ja zgjidhja më e pranueshme

Ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht deputet dhe drejtues i demokratëve të Tiranës, z. Aldo Bumçi, njeh zgjidhjen më të pranueshme për daljen nga ngërçi politik dhe sipas tij, është në dorën e kryesocialistit Edi Rama. Në këtë intervistë për “standard”, z. Bumçi i bën thirrje z. Rama, që të njohë humbjen e 28 qershorit, të distancohet nga kërkesa antiligjore si ajo e hapjes së kutive dhe të lejojë hyrjen e socialistëve në Kuvend. Vetëm në këtë mënyrë, - thotë Aldo Bumçi, - ai do t’i shërbejë progresit të vendit dhe interesave të shqiptarëve, integrimin e plotë në familjen evropiane. Politikani i djathtë pohon në mënyrë të qartë se kërkesa për hapjen e kutive nuk është shkaku i këtij ngërçi politik, por është sjellja e Ramës dhe e ardhmja e tij në politikë, që sipas tij, është në pikën e tij më të ulët. Deputeti i PD-së nuk fsheh faktin se pas kërkesës së Ramës për hapjen e kutive fshihet presioni ndaj qeverisë. Për këtë, Bumçi pohon: “Ne e kemi treguar dhe në mandatin tonë të parë që kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me opozitën në shumë çështje, siç kanë qenë: ndryshimet kushtetuese, ndryshimi i kodit zgjedhor, ligjet për gjyqësorin dhe prokurorinë, delegimin e më shumë kompetencave të pushtetit lokal etj. Kemi bashkëpunuar për anëtarësimin e vendit në NATO. Çdo bashkëpunim duhet të lindë nga njohja e zgjedhjeve dhe pjesëmarrja në Kuvend, çdo formë tjetër presioni nuk do të ishte frytdhënëse”. Zyrtari i lartë i PD-së shpreh qëndrimin e hapur të partisë në pushtet për dialog me opozitën brenda kuadrit ligjit. Kurse presionit të PS-së për të siguruar drejtimin e disa prej institucioneve të pavarura kushtetuese, Bumçi i kundërpërgjigjet se opozita nuk mund të ketë asnjë lloj ndikimi në këtë proces, nëse nuk ndodhet në Kuvend

Z. Bumçi, situata e fundit politike, në vend që të shkojë drejt normalizimit, duket se po tensionohet edhe më tepër. Përballë një mazhorance që bën thirrje për dialog, kemi një opozitë e cila vazhdon bojkotin e Parlamentit, gjë që ka sjellë një ngërç të tejzagjtur politik. Por në gjykimin tuaj, si mund të tejkalohet kjo situatë?
Në fakt nuk jam i mendimit se situata në vend po tensionohet edhe më tepër, dhe kjo për dy arsye: e para që në krye të herës kemi të bëjmë me një krizë tërësisht artificiale në kuptimin që kjo nuk është një krizë e shoqërisë shqiptare, që ushqehet nga probleme të ndryshme reale në shoqëri dhe më pas forcat politike bëhen përfaqësuese të tyre. Nuk kemi krizë, nuk ka kauzë, kemi thjesht një kryetar partie dhe një forcë politike që dëshiron të krijojë krizë, kur ajo nuk ekziston. E gjitha kjo i ngjan një teatri absurd, ku aktorët lozin rolet e tyre edhe pse nuk kanë asnjë subjekt. Është e vështirë ta tensionosh situatën kur nuk ka një krizë reale dhe kjo vlen dhe për një parti të madhe siç është PS-ja. Njerëzit nuk janë robotë që t’i binden çdo gjëje që kërkon kryetari i PS-së, për më tepër kur dhe vetë militantët e PS-së, ata që kanë qëndruar në komisionet zgjedhore dhe të numërimit, që kanë vëzhguar zgjedhjet bashkë me shumë e shumë mbështetës të forcës së tyre politike, e dinë shumë mirë të vërtetën e zgjedhjeve, sepse kanë qenë dëshmitarë të çdo hallke të procesit. Këto kanë qenë zgjedhjet që plotësuan standardet kryesore të OSBE-së, zgjedhjet në të cilat OSBE/ODIHR-i deklaroi në raportin përfundimtar se “nuk ka asnjë provë për manipulim të votimit dhe asnjë provë për numërim të parregullt”; këto kanë qenë zgjedhjet ku të gjithë komisionerët dhe numëruesit e PS-së firmosën të gjitha procesverbalet pa asnjë kundërshtim. E dyta, pse situata nuk mund të tensionohet më shumë, ka të bëjë me z. Rama. Kreu i PS-së është sot në pikën më të ulët të të gjithë karrierës së tij politike 12-vjeçare, që kur u bë ministër i Kulturës. Dhe kjo jo aq shumë për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit sesa për mënyrën sesi ai u soll mbas humbjes. Shumë njerëz që kanë votuar dhe besuar te z. Rama përpara 28 qershorit sot janë tejet të zhgënjyer nga sjellja e tij politike, nga mënyra se si po e përballon humbjen dhe nga rruga pa krye ku e ka futur forcën politike që drejton. Të humbësh zgjedhjet nuk është fundi i botës, duke përmirësuar ofertën politike mund të përpiqesh përsëri siç kanë bërë shumë drejtues të tjerë partish. Në fakt është pikërisht kjo sjellje mbas humbjes që duket se po vulos fundin e z. Rama, nëse ai nuk ndryshon kursin përpara se të jetë vonë. Sot shqiptarët po njohin Edi Ramën e vërtetë, makiazhi ka rënë dhe po del në pah përmbajtja. Ajo që ju e quani ngërçi politik është mosfutja e PS-së në Kuvend. Ka vetëm një mënyrë se si mund të zgjidhet, me futjen e opozitës në Kuvend. Ata janë autorët e kësaj situate dhe vetëm ata mund ta zgjidhin.
Mazhoranca dhe ndërkombëtarët kanë bërë të qartë se askush nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatës, krejtësisht në linjë të kundërt me atë të opozitës, e cila insiston për hapjen e kutive. Por realisht, cila do të ishte zgjidhja më e pranueshme për palët, nga e cila opozitën do ta shikonim të ulur në karriget e Parlamentit?
Këtu nuk mund të flasim për zgjidhje të pranueshme për palët. Forcat politike hynë në zgjedhje, të cilat prodhojnë shumicë dhe pakicë. Askush nuk do të jetë në opozitë, por kjo nuk është një çështje që është në dorën e partive politike, por në vullnetin e zgjedhësve. Edi Rama nuk do të jetë në opozitë, a ka mënyrë si ne mund ta zgjidhim këtë kërkesë të z. Rama?! Z. Rama duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve që u zhvilluan me sistemin zgjedhor që ai propozoi; me rregullat e lojës, (kodi zgjedhor) që ai votoi; me kolegjin zgjedhor për të cilin ai dha konsensus të plotë. Z. Rama duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve që u certifikuan nga OSBE/ODIHR-i, nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka rrugë tjetër përveç njohjes së rezultatit të zgjedhjeve. Hapja e kutive - në fakt rihapja e tyre, sepse kutitë janë hapur dhe numëruar – është një kërkesë që bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, sepse cenon shtetin e së drejtës, është një kërkesë që nuk mund të pranohet, sepse do të ç’bënte vendimet e gjykatave. Gjykata Kushtetuese është shprehur se komisionet hetimore parlamentare nuk mund të hetojnë çështje për të cilat janë shprehur gjykatat. Z. Rama e di këtë, prandaj dhe kërkesa e tij për hapjen e kutive është në fakt mosnjohje e rezultatit të zgjedhjeve, me fjalë të tjera, mospranimi i humbjes.
Do të ngjante si një zgjidhje e ngërçit aktual hyrja vetëm e kundërshtarëve të Ramës në Kuvend, si Blushi, Islami, Malaj dhe Harasani, apo PD-ja beson se para skadimit të afatit të djegies së mandateve, do të hyjë e gjithë opozita në Kuvend?
Partia Demokratike dhe shumica qeverisëse nuk mund të bëjnë asgjë për zgjidhjen e ngërçit politik. Ne jemi deklaruar të hapur për bisedime, i kemi ofruar shumicës dhe drejtimin e komisionit hetimor, si dhe kemi deklaruar se do të pranojmë të gjitha propozimet e tyre për të përmirësuar kodin zgjedhor. Por ne nuk mund të bëjmë më shumë se kaq. Vetëm PS mund ta zgjidhë ngërçin, sepse ajo e ka krijuar në mënyrë artificiale. Uroj që të gjithë deputetet e Partisë Socialiste të futen në Kuvend. Mund të spekulojmë duke thënë se në fakt zotërinjtë që ju përmendët më lart kanë kontributin e tyre në mosfutjen e z. Rama në Kuvend. Duke kërkuar dorëheqjen e tij nga PS, mbas humbjes së zgjedhjeve, ata kontribuuan në kursin radikal, që z. Rama mori për të ruajtur pozitën e tij brenda PS-së.
Megjithatë, socialistët nuk po tërhiqen nga kërkesa për hapjen e kutive, por a janë vërtet kutitë shkaku i gjithë kësaj krize, apo pas opozitës fshihet presioni për të marrë drejtimin e disa prej institucioneve të pavarura në vend? Pra, kush është arsyeja e vërtetë e kësaj sjelljeje të z. Rama?
Po të shikojmë aksionin politik të z. Rama, do të shikojmë se nuk ka pasur një strategji për bojkot që në fillim. Z. Ruçi deklaroi mbas mbledhjes së Asamblesë së PS-së se askush nuk ka thënë se do të bojkotojmë Kuvendin. Partia Socialiste merr pjesë në zgjedhjet lokale në një komune të Lushnjës, në Ballagat. Më pas kemi një ndryshim të qëndrimit të z. Rama, PS vendos të mos futet në Kuvend dhe më pas dhe bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme zgjedhore. Kutitë nuk janë shkaku i krizës, ato janë hapur dhe numëruar ashtu siç propozoi z. Rama. Arsyeja e vërtetë e kësaj sjelljeje është e ardhmja e z. Rama në PS. Me humbjen e zgjedhjeve, pozicioni i tij u dobësua, si rrjedhojë ai radikalizoi qëndrimin e PS-së, çfarë përherë sjell një homogjenizim të partisë dhe dobësimin e zërave kundër që mund të etiketohen si tradhtarë nga anëtarësia nëse dalin kundër Ramës në momentet që ai po përballet me Berishën. Institucionet e pavarura funksionojnë në bazë të rregullave të përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligjet organike me shumicë të cilësuar. Rinovimi i mandateve të anëtarëve të këtyre institucioneve është një proces që ndodh periodikisht sipas termave të përcaktuara qartë. Si republikë parlamentare qe jemi, Kuvendi ka një rol kyç në këtë proces. Por opozita nuk mund të ketë asnjë lloj ndikimi në këtë proces, nëse nuk ndodhet në Kuvend.
Në rast se mazhoranca nuk do të hynte në bisedime për hapjen e kutive të 28 qershorit, a do të ishte e gatshme partia në pushtet që të ulej me opozitën për një formulë të re, të ndarjes së pushtetit, si për shembull, një marrëveshje për marrjen e prokurorisë, SHISH, apo Presidentit?
Ne e kemi treguar dhe në mandatin tonë të parë, që kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë me opozitën në shumë çështje siç kanë qenë: ndryshimet kushtetuese, ndryshimi i kodit zgjedhor, ligjet për gjyqësorin dhe prokurorinë, delegimin e më shumë kompetencave të pushtetit lokal etj. Kemi bashkëpunuar për anëtarësimin e vendit në NATO. Çdo bashkëpunim duhet të lindë nga njohja e zgjedhjeve dhe pjesëmarrja në Kuvend, çdo formë tjetër presioni nuk do të ishte frytdhënëse.
Pra, pas kutive, fshihet presioni i Ramës?
Përgjegjësia jonë është qeverisja e vendit dhe jo zgjidhja e gjëegjëzave dhe pikëpyetjeve që ka z. Rama.
Edi Rama ka deklaruar se do ta rrëzojë qeverinë “Berisha” me protesta mbarëshqiptare, por çfarë e bën më të fortë, më të sigurt apo më të brishtë qeverinë “Berisha”, përballë këtyre kërcënimeve?
Shqipëria është një vend demokratik, ku e drejta e opozitës për të protestuar nuk ka nevojë për t’u diskutuar. Ne do të respektojmë frymën dhe germën e Kushtetutës për sa i takon protestave. Kushtetuta e ka përgjigjen si për protestat paqësore ashtu dhe për protestat jopaqësore. Një qeveri e një vendi demokratik, anëtar të NATO-s, mund të rrëzohet vetëm nëse humb shumicën e nevojshme që parashikon Kushtetuta, për të qeverisur vendin. Për sa kohë 71 deputetë do të votojnë qeverinë, ajo do të qeverisë. Në lidhje me protestat besoj se z. Rama e mori përgjigjen nga qytetarët shqipëtarë më 8 dhjetor në sheshin “Skënderbej”. Ky shesh nuk kishte kaq shumë njerëz më 26 qershor, që ishte mitingu përmbyllës i fushatës sonë, momenti kulmor i një fushate dhe militantizmit politik. Pse atëherë dolën kaq shumë njerëz më 8 dhjetor? Dolën për t’i thënë z. Rama dhe gjithë të tjerëve që janë afër tij, se ata nuk mund të luajnë me fatet e këtij vendi.
Mirëpo, aq shumë po këmbëngul Rama tek hapja e kutive dhe deklaratat se janë vjedhur votat, sa jo rrallë shfaqet dhe bindës se vërtet ka diçka që nuk shkon brenda atyre kutive. Kështu është, apo gabohem?
Kutitë nuk kërkohet të hapen, por të rihapen. Ku hapen dhe numërohen kutitë në sheshin “Skënderbej”, në Kuvend, te Partia Socialiste? Kutitë u hapën, u numëruan ashtu siç ramë dakord me z. Rama kur u votua kodi, në procesin më transparent që ka njohur jo vetëm Shqipëria, por siç tha dhe përfaqësuesi i SHBA-së në OSBE dhe në shumë vende të tjera të Evropës, për shkak të kamerave që filmonin çdo votë dhe e paraqisnin në kohë reale. Partia Socialiste kontrollonte gjysmën e administratës zgjedhore, duke lënë jashtë me vullnetin e saj të plotë LSI-në, besoj e mbani mend grevën e urisë në Kuvend. Asnjë ankesë nuk u regjistrua nga anëtarët e PS-së, të gjitha procesverbalet u firmosën. Ankesat filluan mbas daljes së rezultatit. Në fakt në fillim z. Rama e pranoi rezultatin, deklaroi se nuk ka as humbës dhe as të fituar, jemi 70 me 70. Asgjë nuk ka ndryshuar nga ai rezultat, përveç faktit se Edi Rama po fliste dhe për 4 mandatet e LSI-së, për të cilat ai nuk kishte tagër të fliste. Nuk mund të kontestohet një proces zgjedhor, sepse nuk je i kënaqur me rezultatin, i cili është fundi i procesit. Nëse kishte ankesa duhet të ngriheshin gjatë procesit, por nuk pati asnjë të tillë.
Ndërkombëtarët kanë kërkuar nga qeveria ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Si është menduar formula e tij dhe çfarë do të hetojë konkretisht ky komision?
Ne kemi deklaruar që në fillim që jemi të gatshëm jo vetëm të ngremë komisionin hetimor, por t’i japim dhe shumicën opozitës. Të hetohet gjithçka që nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës. Vendimet e gjykatave nuk mund të hetohen nga Kuvendi, sepse do të ç’bënim atë që kemi arritur në këto 20 vite historie post-komuniste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›