E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Koalicion me PD pa Berishën për arsye madhore, por jo në këto zgjedhje

 

Aristir Lumezi

Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti sulmoi dje deputetin e PS-së, Ben Blushi për deklaratat e tij për bashkëqeverisje me PD. Prifti, gjatë një konference për shtyp, nisur nga një deklaratë e bërë dy ditë më parë nga Ben Blushi, u shpreh dje se aktualisht PD dhe PS po bashkëqeverisin vendin. “Është e vërtetë që dje, sekretari politik i Partisë Socialiste ka deklaruar se Partia Socialiste është e hapur dhe do të bëjë koalicion me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve. Unë personalisht nuk kam pasur ndonjë dyshim që Partia Socialiste nuk është më përfaqësuese e socialistëve. Në deklaratën e tij, sekretari politik i PS-së thoshte gjithashtu ndër të tjera, se “unë nuk jam i majtë, ne nuk po bëjmë një program të majtë, ne jemi të hapur të bëjmë një qeveri me Berishën’”, tha Prifti. Gjatë emisionit “Zonë e Lirë”, i pyetur nga gazetari Arian Çani, nëse do të ishte e mundshme një bashkëqeverisje e PS-së me PD-në, Blushi nuk e mohoi një gjë të tillë. “Në kushte laboratorike, për arsye madhore të vendit mund të kishte një koalicion PD-PS për bashkëqeverisje me një PD pa Berishën”, tha Blushi. Por sipas tij, “nuk bëhet fjalë për këto zgjedhje, pasi më n28 qershor PS do të dalë fituese”. Kjo deklaratë e Blushit solli dje reagimin e fortë të nënkryetarit të LSI-së, Dritan Prifti. Duke bërë një ekspoze të bashkëpunimit të dy forcave kryesore politike, PS-PD gjatë vitit 2008, Prifti tha se ato po merren vesh mes tyre në të gjitha nivelet e qeverisjes.
“Unë për vete nuk kam pasur ndonjëherë dyshim për këtë gjë, sepse Partia Socialiste ka të paktën një vit që bashkëqeveris me Berishën. Në të gjitha nivelet ka një bashkëqeverisje, prandaj Shqipëria është zhytur thellë e më thellë në problemet që ka dhe në varfërinë që ka sot”. Sipas tij, “ata kanë bërë Kushtetutën bashkë, kanë bërë ligjin për Prokurorinë bashkë, kanë goditur gjykatat bashkë. Teatrin që ata luajnë para shqiptarëve se gjoja nuk janë në bashkëqeverisje, edhe teatrin që ndodhi me Bashkinë e Tiranës, me refuzimin e buxhetit, asnjë shqiptar nuk duhet ta besojë”. Sipas tij, edhe buxheti i Bashkisë së Tiranës do të miratohet po nga këto dy forca politike. “Ata do të bashkohen tani dhe do ta votojnë përsëri buxhetin, por ata dëshirojnë të gënjejnë, sidomos Partia Socialiste, sa më shumë socialistë dhe sa më shumë të majtë, se janë në opozitë me Berishën”, tha Prifti.

PS: Korrupsioni, të ikë Berisha

Partia Socialiste akuzoi Kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë e tij për keqqeverisjen dhe korrupsionin në rritje në të gjithë sektorët kyç, duke kërkuar largimin e tij përpara zgjedhjeve. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar, Erjon Braçe, i cili iu referua raportit të “Gallup Ballkan Monitor” në bashkëpunim me “Fondin Evropian për Ballkanin”, në këto kushte shqiptarët po detyrohen të zgjedhin largimin nga Shqipëria si e vetmja shpresë për të mbijetuar. Deputeti socialist akuzoi kryeministrin se po ndikon në pasurimin e një klike të vogël njerëzish, të cilët janë pranë tij duke lënë në harresë pjesën dërrmuese të shqiptarëve. “Qeverisja familjare e Sali Berishës ka bërë që 71% e shqiptarëve të gjykojnë kushtet ekonomike të vendit jo të mira”, tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›