E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm kuqezi, Cana rrezikon ndaj Maltës

 

Jetmir Halilaj

Alarm dëmtimesh në kampin kuqezi.Pas kapitenit Altin Lala dhe portierit Arjan Beqaj, tani rrezikon të mos luajë ndaj Maltës edhe zv/kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana.  Mesfushori i Olimpikut të Marsejës ka gjasa t’i mungojë Shqipërisë për ndeshjen e radhës kundër Maltës, e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror “Afrika e Jugut 2010”, për shkak të dëmtimit në gjurin e djathtë. Mediat franceze kanë bërë të ditur se 25-vjeçari është në dyshim për ndeshjen kundër skuadrës Bordosë më 8 shkurt.
Frika
Lojtari e ka pohuar vetë se është i shqetësuar nga ky dëmtim dhe se nuk ka aspak ndërmend që të rrezikojë, pasi i druhet ndonjë komplikacioni, çka do ta detyronte që të qëndronte jashtë fushave për një kohë të gjatë. “Kam gabuar njëherë në të kaluarën dhe nuk dua që ta përsëris më atë gabim. Nuk e di saktësisht se kur do të rikthehem, ndonëse më duhet të pohoj se nuk e kisha menduar se do të qëndroja jashtë fushave kaq shumë ditë. Nuk dua të caktoj ndonjë datë të rikthimit tim, sepse më duhet të bëj kujdes të madh, në mënyrë që të mos dëmtohem sërish, çka do të ishte shumë e rrezikshme, - ka deklaruar Cana. - Ky kampionat ka edhe katër muaj, kështu që nuk dua të rrezikoj për asgjë”, ka përsëritur futbollisti. Mungesa e dyshes shkatërruese, Cana-Lala në qendër të repartit të mesfushës, jo vetëm që i prish planet teknikut Ari Han, por ia vështirëson atij dhe skuadrës tej mase punët.
Rikuperimi
Stafi mjekësor i Olimpikut të Marsejë, edhe pse më parë dha datën 8 shkurt, si ditën e rikthimit të mundshëm të Lorikut në fushën e lojës, tani është treguar shumë i rezervuar. “Ne kemi folur me doktor Françskon dhe kemi përcaktuar edhe se çfarë rruge do të ndjekim. Përpara se të rikthehet në fushën e lojës, duhet që në fillim Lorik Cana të bëjë një javë stërvitje, pasi gjurin e ka të ënjtur. Për një përfundim të suksesshëm duhen disa ditë”, ka thënë një përfaqësues i klubit. Tifozët e Marsejës e kanë pritur me trishtim të madh lajmin se kapiteni i tyre ka pak shanse të luajë në ndeshjen Olimpik Marsejë-Bordo. Kjo duket edhe në reagimet e tyre në forumin e “La Provence”. Canës i janë bërë edhe injeksione me një medikament të posaçëm për shërimin e gjurit.
Ndeshja
Duelin e radhës Shqipëria do ta luajë më 11 shkurt kundër Maltës në kuadër të grupit 1 eliminator. Shqipëria renditet e katërta në këtë grup me të njëjtat pikë (5) që ka edhe Portugalia, e cila për shkak të golavarazhit renditet një vend më lart. Cana vuan nga dëmtim në gjurin e djathtë dhe nuk zbret dot në fushë për katër javë. Ai i është bashkuar grupit të skuadrës franceze këtë javë në stërvitje. Futbollisti pak ditë më parë kishte deklaruar se do të jetë në fushë kundër Soshosë më 2 shkurt, por duket se rikuperimi i tij do të zgjatë më shumë nga sa ishte menduar.
Cana ka kontratë me Marsejën deri në vitin 2012.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›