OKB rihap shkollat në Gaza
Kombet e Bashkuara kanë rihapur dyert e shkollave në Gaza, për herë të parë që pas shpërthimit të ofensivës së Izraelit me Hamasin në këtë zonë, më 26 dhjetor 2008. Dhjetëra mijëra fëmijë palestinezë janë kthyer në klasat e tyre, edhe pse me mungesa të forta në emrat e mëparshëm të regjistrave shkollorë. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, mbi 400 fëmijë u vranë në luftime dhe mijëra të tjerë u plagosën gjatë bombardimeve të trupave izraelite. OKB operon në rreth 200 shkolla në Gaza, ku janë regjistruar më shumë se 200 mijë nxënës. Për sa i përket zhvillimeve të konfliktit, liderët ndërkombëtarë po tentojnë të arrijnë një periudhë sa më afatgjatë të armëpushimit. Izraeli ka premtuar respektimin e marrëveshjes në rast se Hamasi nuk merr më armë ilegalisht nga kufiri për të luftuar kundër forcave të tij.
Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, ka urdhëruar forcat detare të këtij vendi që të shkojnë në ujërat ndërkombëtare në afërsi të Rripit të Gazës, për të evituar kontrabandën e armëve për militantët palestinezë në Gaza. Parisi zyrtar ka bërë të ditur se mbikëqyrja në ujërat ndërkombëtare do të bëhet në bashkëpunim me Egjiptin dhe Izraelin. Nisma e Francës synon forcimin e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe militantëve të Hamasit. Edhe Barak Obama ka biseduar me telefon me mbretin saudit, Abdullah, duke i kërkuar përkrahjen e Arabisë Saudite për të ndalur trafikimin e armëve në Gaza.