E Hënë, 2 Nëntor 2026

Viruset, shkak i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme

 

AIDA MALAJ

Viruset e shumtë që qarkullojnë në mjedisin e jashtëm, bëhen shkak për shfaqjen e sëmundjeve virale, një pjesë e të cilave janë seksualisht e transmetueshme. Ndër më të shpeshtit është HPV, që akuzohet si shkak kryesor i kancerit në qafën e mitrës, por që mund të shkaktojnë kancer dhe te meshkujt. Në një intervistë për “Panorama”, mjeku androlog Evi Dani shpjegon se si shfaqet HPV, si mund të parandalohet dhe trajtohet kjo sëmundje:
Doktor, është e vërtetë që një pjesë e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme janë me origjinë virale?
Po. Ndër shkaqet e shfaqjes së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme janë disa viruse, ku më i shpeshti dhe më seriozi është HPV (Human Papiloma Virtus), tjetër është molusku kontagioz, citomegalovirusi dhe HIV që shkakton SIDA.
Ku gjenden viruset që e shkaktojnë?
Fatkeqësisht nuk përcaktohet se ku ndodhet, ato vendosen në organizëm dhe një person mund të jetë mbartës dhe transmetues i infeksionit pa e ditur. Kjo për faktin se zakonisht janë sëmundje që nuk japin shqetësime tipike, por kur sëmundja ka avancuar, shfaqen shenjat klinike.
Kush janë më të riskuar prej këtyre sëmundjeve, burrat apo femrat?
Nuk ka ndarje në risk, të dy sekset mund të preken apo janë mbartës të këtyre sëmundjeve, që përhapen në rrugë seksuale, pra nëpërmjet aktit seksual.
Si shfaqet ky virus?
Virusi për fat të keq në përgjithësi nuk jep shenja dhe pacienti nuk ka simptoma, por një nga shenjat që mund të bëhet shkak për t’u paraqitur te mjeku është prania e disa elementeve të vogla në fillim, por që duke u shumuar, marrin pamjen e një vileje rrushi, që po ta shohim në mikroskop ka pamjen e një luleje lakre. Kjo në popull njihet si lythe, ndërsa në gjuhën mjekësore quhen veruke.
Lythat shfaqen dhe në duar dhe në këmbë, por shtamet që e shkaktojnë janë të ndryshme, nga ato që instalohen në organet gjenitale. Këto manifestohen të veçuara ose në grup. Këto lythe transmetohen nëpërmjet aktit seksual. Periudha e inkubacionit është 1-6 muaj, por zakonisht 2 muaj është periudha nga momenti i marrjes së infeksionit deri në daljen e tyre. Zakonisht kjo diagnozë që në mjekësi njihet si “kondyloma acuminata”, vendoset gjatë ekzaminimit mjekësor, duke përdorur dhe lupën ndonjëherë. Kondiloma është një nga shtamet e HPV, ku më të rrezikshmet janë 16 dhe 18, sepse është pikërisht ky shtam që “akuzohet” si shkaktar i kancerit në qafën e mitrës te gratë.
Sa i përhapur është ky virus?
Ky lloj virusi është mjaft i përhapur dhe sipas literaturës botërore gati 50% e moshës seksualisht aktive është mbartës dhe transmetues i kësaj sëmundjeje, megjithëse jo gjithmonë sëmundja shfaqet apo gjen terren të shfaqet. 
Kush është më shumë i rrezikuar të preket nga kjo sëmundje? Sigurisht moshat aktive, por që kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura, pra nuk përdorin prezervativ dhe kanë raporte me partnerë të panjohur. Në rrethin e mjekëve është problem fakti se nuk mund të përcaktohen shtamet e rrezikshme, që bëhet veçse në disa klinika të specializuara virologjike. Kjo gjë e bën të vështirë që të përcaktohet që një grua ka një rrezik për kancerin e qafës së mitrës në të ardhmen. Por jo vetëm gratë, sepse ky lloj virusi mund të shkaktojë kancer dhe te meshkujt, të organit gjenital, pavarësisht se është shumë i rrallë.
Kur duhet t’i drejtohemi mjekut?
Siç e thamë, këto sëmundje nuk shfaqin që në fillim shqetësime, ndaj në momentin kur shfaqen elementet e para të vezikulave në organet apo rreth tyre duhet të paraqitemi te mjeku për të marrë mjekimin e duhur. Përveç 16 dhe 18, shtamet e tjera që janë rreth 30 mund të krijojnë ndonjë problem serioz për jetën. Mjekimi i tyre është i sigurt, me disa solucione apo pomada, pra jepet mjekim lokal apo dhe krioterapia, sipas skemës së mjekimit që përcakton mjeku specialist.
A mund të shërohen plotësisht?
Mjekimi konstaton në eliminimin e tyre dhe që realizohet me sukses, si te femrat dhe te meshkujt. Në rast se një nga partnerët është i infektuar nga ky virus, ka shumë mundësi të jetë dhe tjetri, kjo është arsyeja që dhe mjekimi duhet bërë njëkohësisht tek të dy partnerët.
Si mund të parandalohet ky grup sëmundjesh virale?
Profilaksia më e mirë është mosndryshimi i shpeshtë i partnerëve dhe përdorimi i mjeteve mbrojtëse. Prezervativi është e vetmja mënyrë që të mbron nga një infeksion seksualisht i transmetueshëm.

Përhapja

Sa i përhapur është HPV?
HPV apo siç njihet Human Papilomas Virus, është një infeksion i shpeshtë dhe deri diku i panjohur. Virusi shpërndahet nëpërmjet lëkurës dhe mukozës së organeve gjenitale dhe transmetohet nëpërmjet aktit seksual apo dhe nëpërmjet auto-infeksionit. Ky virus ka shumë forma (shtame), por vetëm 30% e tyre shpërndahen nëpërmjet aktit seksual.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›