E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj, platformë për sigurisë së jetës

 

Lëvizja G99 prezantoi dje Konventën e parë për Sigurinë e Jetës në disa sektorë kyç për vendin, ku përfshihen rendi, shëndetësia, mbrojta sociale, mjedisi, siguria ushqimore dhe transporti. Platforma për sigurinë e jetës së qytetarëve është hartuar nga ekspertë të fushave të ndryshme, të gjithë pjesë e G99, si Albert Dervishi, Eduard Hashorva, Milva Ekonomi, Arbi Mazniku, Jetona Myteveli dhe Maklen Misha. Kjo platformë përmban jo vetëm faktet dhe shifrat e realitetit tonë, por edhe sugjerime konkrete dhe zgjidhje specifike për të përmirësuar sigurinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. Në fjalën e tij, kreu i “G99”, Erion Veliaj, ka bërë thirrje që të lihen mënjanë grindjet politike për t’u bashkuar në mbrojtje të asaj që është më e vyera në botë, në mbrojtje të jetës. “Nëse sistemi shëndetësor do të drejtohej nga specialistë dhe në thelb të këtij profesioni do vazhdonte të kishte vend për humanizëm, nëse klinikat mjekësore rajonale në vend që të strehonin mbështetësit e ministrit të radhës, do të ktheheshin në qendra të lëvizshme mjekësore, atëherë çdo qytetari shqiptar, pavarësisht nëse jeton në qytet apo fshat, do t’i sigurohej ndihma mjekësore, duke shpëtuar kështu mijëra jetë njerëzish”, tha Veliaj. Sipas të dhënave të paraqitura nga ekspertët e kësaj konvente, shqiptarët duhet të përballen me mjaft vështirësi që lidhen me përditshmërinë e tyre. Ndërsa çdo vit me qindra shqiptarë vdesin dhe sëmuren nga ndotja e ajrit, apo ku për shkak të pasigurisë në rrugë në një vit vdesin rreth 350 shqiptarë. Sipas G99, statistikat tregojnë faktin e frikshëm se jeta e një shqiptari sot është e pasigurt. Mbrojtja e jetës duhet të jetë një ndër prioritetet absolute të çdo qeverie, ndërkohë që në Shqipëri i është kushtuar pak, për të mos thënë aspak vëmendje.

Platforma G99 për sigurinë e jetës

• Shëndetësia
• Rendi Publik
• Mbrojtja Sociale
• Mjedisi
• Transporti
• Siguria ushqimore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›