E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: “Kodi nuk garanton vjedhjen e votave për largimin e Berishës nga politika”



Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, është shprehur gjatë seancës së djeshme parlamentare se Kodi i ri nuk mundëson vjedhjen e votës, përkundrazi, rrit mundësitë e opozitës për të kontrolluar procesin zgjedhor. Blushi u shpreh se LSI-ja, si gjatë vitit 2005, kur kishte komisionerë, ashtu dhe gjatë vitit 2007 ka marrë po të njëjtin numër votash, çka, sipas tij, vërteton se nuk ka pasur vjedhje nga PS-ja. “Është lënë përshtypja sikur është një problem midis PS-së dhe LSI-së. Bashkë me Ilir Metën e Spartak Brahon ne kemi fituar zgjedhjet e vitit 2001. Bashkë me Petron kemi humbur zgjedhjet e vitit 2005. Nuk mund të lejoj njeri të na akuzojë që kemi mundësi të vjedhim votat vitin tjetër. Ne nuk dimë të vjedhim votat. Këtë e vërtetuam në vitin 2005. LSI-ja ka marrë po atë numër votash në Shqipëri si në 2005-n dhe në 2007-n, si me komisionerë, si pa komisionerë. Sepse po t’i kishim vjedhur votat, do të ishim më shumë deputetë, pasi për shkak të LSI-së janë djegur 15 kandidatë të PS-së”, - është shprehur Blushi. Ai garantoi se PS-ja do të jetë garant i mbrojtjes së votës gjatë zgjedhjeve të vitit 2009. “Arsyeja që do ta votoj Kodin është të nxjerr Berishën nga politika”, - është shprehur Blushi.

Zogaj: “Ka ende vend për konsensus të gjerë”

Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, është shprehur dje në Kuvend se ka ende vend për negociata me deputetët grevistë për të bërë ndryshime në nenin që parashikon përbërjen e grupeve të numërimit të votave. Zogaj ka kritikuar mungesën e diskutimit të gjerë të ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor, e cila, sipas tij, nuk do të sillte grevën e urisë së deputetëve. “Unë mendoj se duhej të ishte dialoguar më shumë për Kodin dhe të ishin shmangur momente të padëshiruara. Duhet të negociojmë te neni i grupeve të numërimit. U bëj apel bashkëkryetarëve që në këtë distancë që do të ndajë votimin në parim dhe votimin nen për nen, të shikohet ky neni që parashikon grupet e numërimit të votave. Unë mendoj se ka vend për negociata dhe gjej rastin të përshëndes daljen e deputetëve nga greva. Të shikojmë mundësinë që në grupet e numërimit, për partitë që kanë mbi katër deputetë, të jenë një njeri që të shohë votat e tyre”, - është shprehur Zogaj.

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›