E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikat ku kontestohet Kodi i ri Zgjedhor

Të gjitha argumentet e përdorua, se përse Kodi Zgjedhor është antikushtetues. Cili ishte shkaku që prej 8 ditësh u futën në grevë 10 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë

Shaban Sulçe

Kodi i ri Zgjedhor, për të cilin Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë parimisht dakord për ta votuar në Kuvend, ka pasur të paktën 7 pika mjaft të kontestuara nga partitë e vogla, dhe kryesisht nga LSI, PDK dhe PS ’91. Këto pika janë quajtur antikushtetuese dhe janë të lidhura kryesisht me kufizimet dhe mohimit e së drejtës për të qenë të barabartë në një proces zgjedhor. Sigurisht që pika më e diskutueshme është ajo e procesit të administrimit të zgjedhjeve, ku në Kodin e ri Zgjedhor u mohohet e drejta e përfaqësimit në komisione partive si LSI e PDK, deputetët e të cilave prej 8 ditësh u ngujuan në grevë urie në sallën e Kuvendit. Por pikat e kontestueshme kanë qenë të lidhura si me privimin e regjistrimit në zgjedhje të partive, koalicioneve apo kandidatëve të pavarur.

Administrimi i votës

Kapitulli i administrimit të votës në Kodin e ri Zgjedhor ka qenë edhe më i kontestuari nga partitë parlamentare si LSI, PDK, PS ‘91, PDS, PBDNJ dhe PAD. Madje për këtë kapitull prej tetë ditësh 10 deputetë të LSI-së, PDK-së dhe PS ’91-shit u ngujuan në grevë urie. Në këtë kapitull synohet që komisionerët në të gjitha nivelet t’i caktohen Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Partisë Social-Demokrate dhe Partisë Republikane. Procesi i administrimit të votës ka qenë mjaft i kontestuar, pasi është cilësuar se po tenton monopolizimin e dy partive kryesore, PS e PD. Ky variant është kritikuar, duke u cilësuar si hap prapa krahasuar me procesin e administrimit të zgjedhjeve në vitin 2007. Sipas projektit, në të katër nivelet e strukturave që administrojnë zgjedhjet, si në KQZ, në KZAZ, në KQV dhe GNV komisionet përbëhen kryesisht vetëm nga 2 parti (PD dhe PS) dhe respektivisht nga një anëtar komisioni të partive aleate të tyre (PR dhe PSD). “Këto struktura bipartizane lënë jashtë procesit të kontrollit të votimit dhe të numërimit të votave jo vetëm pjesën dërmuese të partive që konkurrojnë midis tyre, por edhe koalicionet që konkurrojnë midis të njëjtit spektër”, - kanë qenë kritikat e bëra për këtë kapitull në Kodin e ri Zgjedhor.
Një tjetër kritikë ka qenë përdorimi i kritereve të ndryshme për mënyrën e caktimit të komisionerëve nga partitë e tjera. “Kështu, për anëtarët e KQZ –së është përdorur kriteri i zgjedhjes së tyre duke mbështetur kandidatin në votimin në Kuvend me firma të deputetëve të partive të mëdha. Për zgjedhjen e anëtarëve të KZAZ-së dhe KQV-së është përdorur kriteri i zgjedhjes së anëtarit të komisionit nga partia e dytë parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 2005-s. Për zgjedhjen e anëtarit të grupit të numërimit është përdorur kriteri i zgjedhjes me short, që pa dyshim është absurditet”, - kanë qenë argumentet kundër ndaj këtij Kodi.

Regjistrimet

Pika mjaft të kontestuara në Kodin e ri Zgjedhor kanë qenë kufizimet që ai u bën partive, koalicioneve dhe kandidatëve të pavarur për t’u regjistruar në zgjedhje. Kritikat kanë qenë pasi ky kod ngushton mundësinë e regjistrimit në procesin zgjedhor të partive politike joparlamentare, pasi për t’u regjistruar një parti joparlamentare duhet paraqitja dhe mbështetja bashkë me listën e kandidatëve të saj, edhe lista e 10 mijë zgjedhësve në rang vendi në KQZ. Të njëjtat argumente kundër kanë qenë edhe përsa i përket mundësisë kufizuese të regjistrimit në procesin zgjedhor e partive politike që dalin në koalicion, pasi për t’u regjistruar një koalicioni i duhet paraqitja dhe mbështetja nga jo më pak se 15 mijë zgjedhës në rang vendi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kodi i ri Zgjedhor ka pasur një tjetër pikë të kontestueshme, që ka të bëjë me kufizimin e mundësisë së kandidimit të kandidatëve të pavarur, pasi kushti i kandidimit të tyre është paraqitja e një liste zgjedhësish mbështetës jo më pak se 1% të listës së zgjedhësve të regjistruar, e cila duhet të jetë e noterizuar.

Mandatet
Kritika ka pasur edhe përsa i përket shpërndarjes së mandateve për deputetë, ku është theksuar se janë përdorur në Kod standarde të dyfishta. Kështu, ndarja e mandatave në zonat zgjedhore bëhet sipas formulës “d-hond”, formulë e cila në kalkulim dhe përdorimin e saj favorizon partitë e mëdha, kurse ndarja e mandateve brenda koalicioneve bëhet sipas formulës “sanlege”, e cila në kalkulim dhe përdorimin e saj favorizon partitë e vogla. Përdorimi i dy kritereve, natyrisht bëhet me qëllime të paracaktuara dhe nuk është normale, ndërkohë që duhet të përdoret vetëm një kriter në të dy rastet e ndarjes së mandateve. Kufizimi i fundit ligjor antikushtetues në Kodin e ri Zgjedhor ka pasur të bëjë me mohimin e të drejtës së pjesëmarrjes në votime të emigrantëve, pavarësisht insistimit të mjaft subjekteve politike dhe jopolitike.

Pikat e kritikuara të Kodit të ri Zgjedhor

1-Ngushtohet regjistrimi në zgjedhje i partive joparlamentare

2-Kufizohet mundësia e regjistrimit të koalicioneve në zgjedhje

3-Kufizohet mundësia e regjistrimit në zgjedhje të kandidatëve të pavarur

4-Synohet monopolizimi i PS-së dhe PD-së në procesin e administrimit të votës

5-Janë përdorur kritere të ndryshme për mënyrën e caktimit të komisionerëve

6-Janë përdorur dy kritere të ndryshme, bazuar mbi formula të ndryshme, për ndarjen e mandateve për deputetë

7-Mohohet pjesëmarrja në votime e emigrantëve

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›