Rusmali e Xhafaj: Kodi Zgjedhor, më i miri që ka pasur vendi
Dy bashkëkryetarët e Komisionit të posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor, Ilir Rusmali i PD-së dhe Fatmir Xhafaj i PS-së, kanë vlerësuar projektin e paraqitur dje për miratim. Gjatë fjalës së tij Rusmali është shprehur se Projekt-Kodi është hartuar me ekspertizën më të madhe të ndërkombëtarëve dhe me konsensusin më të gjerë të mundshëm. Sipas tij, Kodi mbështetet në praktikat më të mira të ODIHR-it dhe përmban në vetvete shumicën e rekomandimeve të organizatave ndërkombëtare. “Ky material reflekton dhe ekspertizën e ekspertëve të huaj që kanë qëndruar pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore, në mënyrë të veçantë ekspertët e OSBE/ODHIR-it. Ai është produkt i një kompromisi të jashtëzakonshëm politik. Produkt i një bashkëpunimi në shenjën e sakrificës ndaj interesave të ngushta partiake”, - është shprehur Rusmali, ndërsa ka renditur disa pika në të cilat PD-ja, sipas tij, është tërhequr në të mirë të interesave të vendit. “PD-ja tërhiqet nga pozicioni i saj preferencial nga sistemi maxhoritar. Sakrificë është edhe adoptimi i kuotës prej 30% të përfaqësimit të grave në politikë. Deputetet kanë sakrifikuar zonat e tyre duke hequr dorë nga investimet. Ne hoqëm dorë nga drejtimi unik i administratës zgjedhore”, - është shprehur Rusmali. Ai u ka bërë thirrje deputetëve grevistë që të mos e shndërrojnë Kodin në një sakrificë fiziologjike, por në një sakrificë politike. Edhe bashkëkryetari socialist, Fatmir Xhafaj, e ka vlerësuar Kodin e ri Zgjedhor. Sipas tij, nga 180 nene të miratuara me konsensus, vetëm 8 nene janë kontestuar në Komisionin e posaçëm Parlamentar vetëm nga 2 anëtarë të këtij komisioni, ndërsa pjesa tjetër ka votuar unanimisht. Sipas Xhafajt, Kodi garanton standarde demokratike për realizimin e zgjedhjeve. “Kodi sjell ndryshime që përmirësojnë zgjedhjet në këtë vend. Kodi garanton garën e alternativave të partive politike dhe shmang trafikun e votave. Shqiptarët nuk do të jenë në presionin e kandidatit por do të votojnë për partinë. Procesi i numërimit të votave bëhet më i thjeshtë dhe më transparent. Ne u kemi dhënë të drejtë vëzhguesve njësoj sikur të ishin komisionerë. Kushdo i interesuar mund të kontrollojë numërimin e votave”, - është shprehur Xhafaj.
19 Nentor 2008