E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Kodi nxjerr Berishën nga politika

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi tha dje se Kodi i ri Zgjedhor mund të mos jetë më i miri i mundshëm, por ai nxjerr jashtë politikës kryeministrin Sali Berisha. Duke folur në seancën parlamentare të votimit të Kodit, deputeti socialist u shpreh se "hajdutët e votave kushdo mund ta kërkojë nga ky krahë. Ne për këtë arsye do jemi garantët e këtyre zgjedhjeve të 2009 dhe do të ruajmë çdo votë shqiptarësh, mbi të gjitha çdo votë që hidhet kundër Sali Berishës, ky është qëllimi për 2009 dhe pse kemi bërë këtë Kod, i cili është një mundësi, instrument, shans më shumë për të votuar kundër Sali Berishës vitin tjetër, prandaj unë them që ky Kod mund të mos jetë i drejtë, por koha do ta vërtetojë sa është i drejtë, por jam i bindur se është funksional dhe kush më pyet, iu them se është për të nxjerrë Sali Berishën nga politika, ky është qëllimi". Sipas deputetit socialist "nuk mund të jem cinik dhe t'ju kërkoj të votoni këtë Kod, por po e mbyll duke ju thënë, se për sa kohë ka shpresë që ky Kod na jep të gjithëve një mundësi për ta nxjerrë Sali Berishën nga politika do ta votoj dhe kjo është arsyeja pse kam ardhur sot". Duke iu referuar grevës së dhjetë deputetëve të LSI-së, PDK-së dhe PS '91, Ben Blushi u shpreh se "me sa duket, nuk do të jetë një ditë e bukur, por e trishtuar, për shkak të grevës së deputetëve pavarësisht nga arsyet që ata kanë. Në kushte të tjera nuk do të kisha folur, për shkak të grevës nuk është koha për të heshtur".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›