Lapsusi i Banos me grevistët
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Ilir Bano duket se ka qenë i fundit në sallën e parlamentit, që ka kuptuar se dhjetë deputetët grevistë kishin vendosur t'i jepnin fund ngujimit të tyre. Megjithëse para tij kishin folur me radhë Ilir Meta, kreu i LSI-së, Nard Ndoka, kreu i PDk-së dhe Petro Koçi, kryetari i PS '91, ku deklaruan përfundimin e grevës, numri dy i grupit demokrat doli para Kuvendit duke shprehur keqardhjen e tij se greva e dhjetë deputetëve do të vazhdonte. "Më vjen keq që kodin e ri elektoral sot po e diskutojmë në një moment që prej tetë ditësh dhjetë kolegë tanë janë në një grevë urie dhe më vjen akoma më shumë keq, që kolegët tanë do ta vazhdojnë ende grevën e urisë", u shpreh Ilir Bano para deputetëve. Grupi më i madh parlamentar në kuvend ka refuzuar të komentojë gjatë gjithë këtyre ditëve grevën e urisë së dhjetë deputetëve dhe përveç Besnik Mustafajt e Preç Zogajt, asnjë prej deputetëve të tjerë nuk ka folur lidhur me grevën. Por kjo nuk ka ndodhur vetëm në publik, por edhe në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së.