E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi miratohet me 99 për qind të votave, deputetët ndërpresin grevën e urisë

 

BLEDAR HOTI

Kuvendi miraton me 112 vota pro Kodin e ri Zgjedhor, një votë kundër dhe katër abstenime. Pas disa orë diskutimesh në seancën e pasdites së djeshme, maxhoranca dhe opozita votuan ligjin e ri zgjedhor me 99 për qind të deputetëve të pranishëm në sallë, duke i dhënë fund odisesë së pafund të hartimit të Kodit Zgjedhor. Në parim nga 117 deputetë, votuan pro 113 vetë, ndërsa në tërësi kanë votuar 122 gjithsej. Në seancën e djeshme parlamentare deputetët e LSI-së, PDK dhe PS 91, si dhe Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli nuk morën pjesë në votim. Vota kundër publike ka qenë e nënkryetarit të Kuvendit, kreut të PAD-së, Neritan Ceka. Ndërsa votat abstenuese kanë qenë të tre deputetëve të PBDNJ-së, Vangjel Dule, Spiro Peçi dhe Leonard Solis. Vota e katërt abstenuese ka qenë ajo e deputetit Durim Lamaj, i grupit “Qendra”. Seanca ka nisur fillimisht me qëndrimin e deputetëve të LSI-së, PDK-së dhe të PS 91, të cilët kanë qenë kundër Kodit Elektoral, duke kërkuar më tepër kohë në shqyrtimin e projektligjit. Ndërsa deputetët pas qëndrimeve të lëshuara janë larguar nga seanca parlamentare, duke mos marrë pjesë në votimin e ligjit të ri zgjedhor. Më pas në diskutimet e Kodit Zgjedhor, socialistët dhe demokratët janë shprehur me tone të buta, duke vlerësuar konsensusin e arritur mes tyre. Për herë të parë deputetët kanë pasur një kohë të madhe në dispozicion për të diskutuar. Kryeparlamentarja i ka lënë në dispozicion 20 minuta çdo deputeti për të diskutuar mbi Kodin Zgjedhor. Kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi në fjalën e tij deklaroi se “Kodi i ri Zgjedhor është koncentrimi i vullnetit politik për të pasur zgjedhje të lira”. “Kodi i ri është një goditje përfundimtare për fenomenin e Dushkut. Për herë të parë Kuvendi e miraton Kodin nëntë muaj para nisjes së procesit zgjedhor”, tha Patozi. Duke u ndaluar tek akuzat e partive të vogla, për një pakt të fshehtë mes PD-së e PS-së, Patozi tha se “Ne gjatë këtij procesi kemi dashur dhe tentuar konsensusin më të plotë të mundshëm dhe jemi ende të prirur dhe tani që po flasim. Në rast se ai nuk vjen, do ndjekim rregullin ku është shumica që vendos. Ky kod garanton dhe votën e atyre që janë kundër”. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj theksoi se “Për herë të parë në historinë e pluralizmit, forcat politike i sjellin parlamentit një kod të hartuar pa ndërmjetësimin tradicional të ndërkombëtarëve e pa arnimet e sekondës së fundit”. “Për fat të keq kriza e besimit, është ende e fortë mes palëve dhe aktorëve në procesin politik.  Gjithsesi përqasja e re që kemi ofruar, ka ndodhur jo sepse ka ndonjë pazar të fshehtë, që në fakt ekziston vetëm në imagjinatën e zëdhënësve të politikës së vjetër”, tha Leskaj. Sipas saj, me shqyrtimin e Kodit, “ne besojmë se është bërë më e mira e mundshme për të pasur një proces transparent, konsensual e përfshirës. Është bërë çdo përpjekje që komisioni i reformës, i ngritur nga ky Kuvend, të miratojë me maksimumin e mundshëm të konsensusit, propozimet e bëra”.

Kodi, Rusmali: PD sakrifikoi për konsensus

Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Reformës, Ilir Rusmali tha Partia Demokratike ka sakrifikuar disa çështje të saj për zgjedhjet për hir të konsensusit. “Kodi është produkt i një kompromisi të jashtëzakonshëm politik, është produkt i një bashkëpunimi i cili është bërë nga të gjithë në shenjën e sakrificës ndaj interesave të ngushta partiake. PD ka sakrifikuar në tërësinë e dispozitave të rëndësishme të kodit nga interesi i ngushtë partiak. Në radhë të parë me amendamentet kushtetuese nuk mund të mos i quhet PD-së sakrificë tërheqja nga pozicioni i saj preferencial për sistemin maxhoritar në Shqipëri. E kemi bërë dhe e kemi bërë me vetëdije”, deklaroi Rusmali. Sakrificë tjetër e PD-së, sipas tij, është tërheqja nga sistemi proporcional me prim. Për Rusmalin, Kodi i paraqitur është drafti më i mirë i paraqitur ndonjëherë për votim në Parlament. “Është një material që mbështet shumë fort në tërësinë e rekomandimeve. Nga 43 rekomandime specifike të përpunuara për legjislacionin shqiptar në fushën e zgjedhjeve, ky kod realizon menjëherë 40 prej tyre”, tha Rusmali.

Xhafaj: Kodi, i mirë për kushtet aktuale
Për bashkëkryetarin socialist të Komisionit të Reformës, Fatmir Xhafaj, miratimi i Kodi përbën sukses dhe për faktin se ai u hartua pa pasur nevojën e ndërhyrjes së faktorëve ndërkombëtarë. “E konsideroj progres faktin që në vend të zyrës së filandezit Lipponen, të moderimit e mbikëqyrjes politike prej zyrës së tij, palët mundën të punonin në mënyrë të pavarur me njëri-tjetrin në zyrat e Kuvendit”, deklaroi Xhafaj. Ai theksoi se “rregullat e lojës, të përcaktuara në këtë Kod, në të kundërt të asaj çka është pretenduar këto ditë, nuk cenojnë as votat, as përqindjet që do të meritojnë partitë politike në zgjedhjet e 2009. Formulat e aplikuara mundësojnë që secila parti të marrë përfaqësimin e merituar në parlament”. “Në vlerësimin tim, Kodi Zgjedhor i paraqitur për miratim nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar është më i miri në kushtet aktuale, por padyshim jo zgjidhja më e mirë e mundshme. Sigurisht, që zgjidhje ideale nuk mund të ketë. Personalisht jam i bindur edhe profesionalisht se nuk ekziston një ligj perfekt”, theksoi Xhafaj. 

KQZ, nënkryetari me kompetenca njëlloj si kryetari

Aristir Lumezi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë varësi të dyfishtë nga të dyja partitë kryesore politike PS-PD. Përveç raportit të forcave në KQZ, ku shumica do t’i përkasë gjithmonë asaj force politike që fiton zgjedhjet, Kodi i ri ka rregulluar edhe vendimmarrjen në të. Edhe pse në maxhorancë, ku do të ketë 3 anëtarë në KQZ, partia më e madhe e njërit kamp, vendimmarrja do të jetë e ekuilibruar, sepse bashkë me kryetarin e këtij komisioni duhet të firmosë edhe nënkryetari. Në nenin 20 të këtij Kodi, pika 3 e tij, sanksionon se “kryetari i ushtron kompetencat në bazë të shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni së bashku me zëvendëskryetarin. Të gjitha aktet e nxjerra në bazë të gërmës “b” të pikës 1 të këtij neni nënshkruhen edhe nga zëvendëskryetari, përndryshe janë të pavlefshme. Bëjnë përjashtim rastet kur kryetari ose zëvendëskryetari nuk ushtrojnë funksionet për arsye objektive”. Dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë një “pakt” në lidhje me dokumentet që do përdoren për votim. Duke parë pamundësinë e pajisjes së shtetasve me karta identiteti, siç dhe kishte premtuar qeveria dy vjet më parë, PS-PD ka vendosur që fillimisht dokumenti bazë për të votuar në zgjedhjet e 2009 të jetë pasaporta ndërkombëtare, ndërsa kartë identiteti do të marrin të gjithë ata zgjedhës që nuk kanë pasaporta të tilla. Por ajo që ende nuk është caktuar në Kod dhe pritet të përcaktohet me ndonjë akt nga KQZ do të jetë edhe pasaporta e identifikimit, ajo e përdorur para viteve ’90. Kjo do të lehtësojë të gjithë ata pensionistë që nuk kanë pasaportë ndërkombëtare dhe nuk përballojnë dot tarifat për karta identiteti. “Në zgjedhjet për Kuvend të vitit 2009, zgjedhësit mund të votojnë edhe me pasaporta të vlefshme të lëshuara sipas ligjit nr. 8663, datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaporta për jashtë shtetit”. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë akte nënligjore, që bëjnë të mundur pajisjen me përparësi me karta identiteti të zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta të vlefshme sipas këtij neni. Lista e shtetasve, sipas pikës 2 të këtij neni, i dorëzohet KQZ. Ministria e Brendshme informon në mënyrë periodike jo më pak se një herë në muaj KQZ-në, në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti, sipas pikës 2 të këtij neni”, përcaktohet në Kodin e ri Zgjedhor. Por Kodi i ri Zgjedhor ka përcaktuar edhe një prag minimal kualifikues. Për zgjedhjet në Kuvend, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që konkurrojnë më vete të cilat që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 për qind të vlefshme në zonën zgjedhore. Ky është dhe pragu minimal në të gjithë vendin, prag që është i vlefshëm vetëm për Tiranën ku ka 32 mandate deputetësh dhe pragu për marrjen e një deputeti nuk shkon më poshtë se 3 për qind. Ky prag, është dhe përcaktues si minimumi për financimin e partive politike nga buxheti i shtetit. Por Kodi përcakton edhe një rritje më të madhe të transparencës në procesin e numërimit të votave. Përveç kameras, e cila do të projektojë në një ekran gjigand votën që në atë moment numërohet, do të ketë njëkohësisht edhe regjistrim të kësaj vote në kompjuter. Por një rol më i madh i jepet edhe vëzhguesit të partive, i cili në çdo rast të dyshimit të votës që po numërohet, mund të ndërpresë numërimin e votës.  

Kodi, Uidhers takon Topallin para votimit
Ambasadori amerikan Xhon Uidhers, përpara votimit të Kodit të ri Zgjedhor, ka zhvilluar një takim në zyrën e Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Takimi u zhvillua rreth orës 11:30 në Kryesinë e Kuvendit. Të pranishëm mësohet se kanë qenë dy krerët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi i PD-së, Valentina Leskaj e PS-së, si dhe nënkryetari i Kuvendit, socialisti Ylli Bufi. Takimi ka zgjatur më shumë se 45 minuta. Ambasadori Uidhers, gjatë daljes së tij nga kryesia e Kuvendit, nuk pranoi të jepte komente në lidhje me arsyen e vizitës së “papritur” në zyrën e Kryetares së Parlamentit. Zyra e shtypit e Kuvendit bën të ditur se “në takim u bisedua kryesisht mbi zgjedhjen e Presidentit të ri të SHBA-së, Barak Obama. Kryetarja e Kuvendit shprehu vullnetin dhe dëshirën për shkëmbime mes Kongresit Amerikan dhe Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit dhe deputetët e tjerë shprehën bindjen se raportet me administratën e re të Presidentit Obama do të jenë të shkëlqyera. Në takim u fol për sfidat e së ardhmes dhe vendosmërinë për të ecur përpara me reformat”. Ndërsa dy ditë më parë, Uidhers pati një takim të veçantë me Kryeministrin Berisha dhe me kreun e PS-së, Rama.

Berisha shfaqet vetëm në votim

Kryeministri Sali Berisha ishte prezent në seancë vetëm gjysmë ore përpara votimin në seancën parlamentare të Kodit Zgjedhor në parim dhe më pas nen për nen. Kryeministri nuk ishte fare prezent gjatë diskutimeve parlamentare të deputetëve të maxhorancës dhe opozitës. Ai nuk ka dëgjuar as kërkesën e bërë nga ana e LSI-së dhe PDK-së për rishikimin e Kodit Zgjedhor dhe shtyrjen e votimit të tij. Kryeministri nuk ka preferuar as të bëjë ndonjë koment në lidhje me ligjin e ri konsensual, të miratuar me Partinë Socialiste. Kryeministri në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, në lidhje me kërkesën e LSI-së, ka deklaruar se ka si primare bashkëpunimin me PS-në, si partia më e madhe parlamentare. Berisha ka shtuar më pas se kjo çështje e anëtarëve të KQZ-së është edhe një problem që sipas tij, duhet ta zgjidhte LSI-ja me PS-në.

Deputetët ndërpresin grevën e urisë

Aristir Lumezi

Në ditën e nëntë të grevës së urisë, dhjetë deputetët e LSI-së, PDK-së e PS '91 i kanë dhënë fund ngujimit, por duke premtuar se kjo ishte etapa e parë, ndërsa etapa e dytë është ajo e manifestimeve popullore në rrugët e vendit. Në seancën e votimit të Kodit të ri Zgjedhor, kreu i LSI-së, Ilir Meta foli para deputetëve në sallë dhe më pas iu drejtua qindra qytetarëve, të cilët ishin vendosur para Kuvendit që nga ora 16.00. Por fundi i kësaj greve duket se vjen nga ndikimi i ndërkombëtarëve. Ndonëse gjatë gjithë këtyre ditëve nuk ka pasur asgjë publike, besohet se ndërkombëtarët kanë ndikuar, që dhjetë deputetët grevistë të lënë grevën e urisë dhe të vazhdojnë protestat jashtë Parlamentit. Në fjalën e tij para qytetarëve Meta, duke iu referuar dy deklaratave të ndryshme të OSBE-së një ditë më parë, tha se nuk do të ketë diplomat në Shqipëri, por edhe në botë që të mbyllë këtë mynxyrë, siç e quajti ai, që u votua nga deputetët e dy partive të mëdha. Madje sipas tij: "Është turp! Është turp i madh, jo vetëm për kartonët e Berishës dhe të Ramës, por edhe për ndonjë diplomat, që i mban sytë nga xhepi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës". Para mijëra qytetarëve, Meta premtoi se nga dita e sotme do të nisë etapa e dytë e protestës së LSI-së, PDK-së e PS '91. "Shumë shpejt ne do të organizojmë manifestime shumë të mëdha, ne do të krijojmë një front shumë të gjerë për të mbrojtur votën e lirë, për të rivendosur shenjtërinë e saj ndaj dhunuesve Rama dhe Berisha. Ky do të jetë fronti i lirisë, do të jetë fronti i dinjitetit të së gjithë shqiptarëve", theksoi Meta. Sipas tij "ne sot, përfundojmë etapën e parë, vetëm etapën e parë, të përpjekjeve tona konstruktive dhe paqësore, të sakrificave tona brenda e sidomos të sakrificave tuaja këtu jashtë për tetë ditë e për tetë net me radhë. Nesër fillon një etapë tjetër, një etapë e cila do t'i bëjë të gjithë botës së ditur, që ata dy zotërinj, dy bosë të kastës, kanë bërë një gabim fatal për veten e tyre, sepse nuk na nënshtrojnë dot ne ata". Para daljes te qytetarët, kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe pas tij Ndoka e Koçi folën para Kuvendit, duke akuzuar ashpër kryetarët e dy partive të mëdha për Kodin e ri Zgjedhor. Meta tha se "ky është një Kod, i cili do të ngarkojë me një përgjegjësi të jashtëzakonshme para popullit shqiptar, të cilit ju po i bëni shantazh sot se do t'i vidhni votat. Në veçanti e kam për kolegët e mi të dikurshëm socialistë, të cilët shpresojnë se duke i mbyllur Berishës Gërdecin, sikurse kanë vepruar deri tani, mund të realizojnë përmes këtij Kodi eliminimin e pjesës tjetër të opozitës, që u prish rehatin atyre në abuzime miliardëshe në Bashkinë e Tiranës". Kreu i LSI-së deklaroi dje se me miratimin e kodit të ri zgjedhor është shkelur rregullorja e kuvendit, pasi një ligji i duhen dy javë nga data e paraqitjes për t'u votuar në kuvend. "Shumë i habitshëm ky nxitim, zonja kryetare, sot në Parlament, për këtë kod që është akti më i rëndësishëm i këtij Parlamenti nga tani dhe deri në 2009. Por për këtë Kod, i cili, do të ketë efekte të paktën edhe për katër vitet e ardhshme të këtij vendi dhe të gjithë popullit shqiptar", u shpreh më tej Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›