E Diel, 1 Nëntor 2026

Zogaj: Grupet e numërimit, hapësira për të negociuar

 

Aristir Lumezi

Partitë që kanë më shumë se katër deputetë në Kuvend mund të kenë një anëtar në grupet e numërimit të votave. Propozimin e bëri mbrëmë në parlament deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, sipas të cilit kjo periudhë deri në miratimin përfundimtar të Kodit duhet të shërbejë për të zgjidhur ngërçin e fundit politik. Duke folur para miratimit të Kodit, deputeti i PD-së i bëri thirrje krerëve të komisionit të posaçëm zgjedhor, Rusmali dhe Xhafa, që të marrin në konsideratë një propozim të tillë, duke shtuar se më pas do të jetë elektorati ai që do të zgjedhë përbërjen e Parlamentit të ri. "Hapësira e negocimit është te neni i grupeve të numërimit. I bëj apel bashkëkryetarëve që në këtë distancë që do ndajë votimin në parim me votimin nen për nen të shikojnë mundësinë që në grupet e numërimit, përpos shortit se edhe shorti i jep mundësi, tregimi i votës në kamera, barazimi i statusit të vëzhguesit me statusin e komisionarit, sikurse në grupet e numërimit janë një garanci që vota të numërohet siç është hedhur. Të shikojmë mundësinë që në grupet e numërimit të ketë mundësi, që parti që kanë mbi 4 deputetë të kenë një njeri aty të shohin votat e tyre. Mendoj se kjo është e mundur", u shpreh deputeti demokrat. Zogaj ka përshëndetur në të njëjtën kohë edhe vendimin e marrë nga dhjetë deputetët grevistë për të mbyllur ngujimin e tyre nëntë ditor. "Meqenëse sot po diskutojmë në parim ka ende hapësirë negocimi. Përshëndes deputetët që gjetën sot momentin për të dalë nga greva dhe ta vlerësojmë këtë moment, të vlerësojmë edhe ata qytetarë që e mbështesin për arsyet e tyre", theksoi deputeti i PD-së. Në të njëjtën kohë ai kritikoi edhe mungesën e komunikimit gjatë këtyre ditëve deri në mbërritjen e kodit në Kuvend. "Do kisha dashur më shumë dialog, më shumë komunikim. Nuk kam qenë anëtar i komisionit, por pavarësisht shpjegimeve që u dhanë këtu, mendoj se nevoja e një komunikimi më transparent gjehet dhe ndoshta një komunikim më i afërt, jashtë skemave të komunikimit nga llogoret, do kishte evituar edhe momente që nuk dëshirohen në këtë seancë", theksoi Zogaj. Ai vlerësoi Kodin e ri Zgjedhor duke e konsideruar atë një risi në krahasim me kodet e mëparshëm. Por sipas Zogajt zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të rëndësishmet për Partinë Demokratike, për të lënë pas momentet kur edhe kjo forcë politike ka qenë e pranishme në momente të deformimit të zgjedhjve. "PD, deputetët e saj e kanë çështjen e zgjedhjeve të lira kredo të jetës së tyre politike. Unë e di se PD në të kaluarën, sikurse edhe PS, tre herë ka lënë në trashëgiminë e vet momente të deformimit të zgjedhjeve, por e them me bindje se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kryefjala jonë tani, pas miratimit të buxhetit. Me këto zgjedhje PD do të ngrihet në lartësinë e atyre vlerave që e kanë bërë atë parti historike", u shpreh Zogaj. Në fund ai kritikoi edhe kritizerët e konsensusit mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Sipas deputetit të maxhorancës nëse konsensusi do të ishte kriminal, atëherë nuk do të kishte konsensus. Në të njëjtën kohë sipas tij, është elektorati që për maxhorancën zgjedh opozitën dhe anasjelltas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›