Ndoka: Në 2009 janë zgjedhjet e fundit politik të Sali Berishës
Kryetari i Partisë Dem-okristiane Nard Ndoka, akuzoi dje ashpër kryeministrin Sali Berisha, se falë një marrëveshje me kundërshtarët e tij politik, synon të godasë PDK-në, LSI-në dhe LZHK-në nga skena politike. duke folur në Parlament, pak para votimit të Kodit të ri Zgjedhor, kreu i demokristianëve tha se "Sot, Sali Berisha dhe ortakët e pazareve të fshehta antikushtetuese në Partinë Socialiste, kanë ardhur për të vendosur mina ndaj procesit zgjedhor të vitit 2009, për të goditur jo vetëm PDK-në, LZHK-në, LSI-në dhe partitë e tjera politike, por edhe për ata qindra intelektualë, presidentë, burra shteti, shkrimtarë e akademikë, doktorë, që iu bashkuan protestës tonë qytetare". Sipas tij "tashmë ju ka mbetur mjeti i fundit, bëtë pazar me kundërshtarët historikë politikë, për të vendosur me ligj përjashtimin e PDK-së nga procesi zgjedhor i vitit 2009. Të garantoj se edhe këtu do të dështoni. Sepse, zgjedhjet e vitit 2009 nuk janë zgjedhjet e Nard Ndokës, as të PDK-së, por janë zgjedhjet e Sali Berishës dhe fundi i tij politik". Ndoka tha se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë të rëndësishme për Kryeministrin Berisha, pasi do ta çojnë atë në pension politik. "Kurse për PDK-në ato janë zgjedhje, si çdo zgjedhje tjetër, betejë e radhës me segmentet e Partisë së Punës dhe Sigurimit të Shtetit, me mafien e vjetër dhe të re, rozë e blu, e cila pasi ka zhvatur çdo gjë, porte, bregdete, anije, sheshe ndërtimi dhe pallate shumëkatëshe, po tenton të zhvatë edhe pasurinë e fundit të shqiptarëve, të drejtën e votës së fshehtë", vijoi më tej kreu i demokristianëve.