Çmimi i energjisë, do vazhdojë kompensimi për familjet e varfra
Rritja e çmimit të energjisë do të vazhdojë të shoqërohet me subvencionim e familjeve të varfra. Tarifat e energjisë elektrike duhet të rriten pasi janë nën kosto, por rritja do të jetë graduale, në mënyrë që konsumatori të jetë në gjendje t’i përballojë tarifat e reja. Deklarata është dhënë nga vetë kreu i Ministrisë së Energjetikës Genc Ruli, gjatë punimeve të Forumit të I-ë Social të Komunitetit të Energjisë.
Forumi
Në Forumin e I-ë Social të Komunitetit të Energjisë, merrnin pjesë zyrtarë të lartë të çështjeve energjetike dhe sociale nga vende të BE-së dhe rajonit, përfaqësues të organizatave të konsumatorëve dhe të industrive. Ky Forum organizohet në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit mbi Çështjet Sociale, për të diskutuar, bashkërenduar dhe programuar punën ndërmjet qeverive dhe partnerëve socialë, për të siguruar dhe garantuar zbatimin e një komponenti shumë të rëndësishëm, siç janë problemet sociale dhe që është pjesë e Traktatit të Themelimit të Komunitetit të Energjisë. I pranishëm, ishte gjithashtu, ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan. Sipas ambasadori të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, ky traktat do të garantojë liberalizimin sipas standardeve evropiane dhe rritjen e sigurisë në furnizimin me energji elektrike për rajonin. Ndërsa kreu i qeverisë Berisha, u shpreh se në politikat e saj energjetike, qeveria shqiptare ka mbrojtur interesat e shtresave në nevojë. Ndërsa sipas ministrit Ruli, “Objektivi politik i Qeverise shqiptare për privatizimin e sektorit të energjisë elektrike, natyrisht që ka marrë në konsideratë dhe rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të cilat do të synojnë që të mbulojnë kostot, si dhe eliminimin e ndërsubvencioneve ndërmjet grupeve të ndryshme të konsumatorëve. Sipas tij, rritja graduale e tarifave të energjisë elektrike, për të mbuluar kostot, por jo në mënyrë të menjëhershme, ishte një ndër arsyet kryesore edhe në zgjedhjen që Qeveria shqiptare bëri për Modelin e Tregut të Energjisë Elektrike.