E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: “Mes dy kandidatëve do të votoja Ramën”

Autori i Lajmit: red.
Deputeti dhe anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, mes dy kandidatëve në garën për kreun e selisë rozë do të votonte për Edi Ramën, edhe pse ka preferuar të bëjë një tjetër zgjedhje, të bojkotojë procesin. Ai ka thënë se nuk do të merrte pjesë në votime, duke e konsideruar procesin të parregullt, ndërsa demokracinë e brendshme në PS, të cenuar. “Nëse do të merrja pjesë në këto votime, mes këtyre dy kandidatëve, pra Ramës dhe Lakrorit, sigurisht që do të votoja për Ramën, pasi ka më tepër aftësi dhe potencial për drejtimin e Partisë. Por Rama nuk duhej të ishte aty ku është sot, ai duhej të kishte dhënë dorëheqjen, sepse humbi zgjedhjet”, - ka deklaruar Ben Blushi në një emision televiziv. Blushi tha se Ramës iu ndërpre mandati nga humbja në zgjedhje, ndërsa ai përsëri po kërkon një mandat katërvjeçar kur ka qëndruar dy vjet në krye të partisë derisa humbi zgjedhjet parlamentare. “Mandati është katër vjet, por unë e di se 2+4 bëjnë gjashtë dhe jo katër, procesi është ilegjitim”, - tha Blushi. Ai së bashku me deputetë të tjerë të PS-së, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani dhe të tjerë kanë formuar Lëvizjen për Mendim Ndryshe në PS, e cila ka qenë kritike ndaj kreut aktual për shkak të humbjes në zgjedhje dhe refuzimit për të dhënë dorëheqjen nga kreu i Partisë.
Ky lajm është publikuar: 29/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›