E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara në PS, Çaka: “Kryetari, i paracaktuar”

Autori i Lajmit: red.
Zamira Çaka, ish-kryetare e Komisionit Zgjedhor të Partisë Socialiste ka preferuar të bojkotojë procesin zgjedhor në parti duke e konsideruar atë farsë. Sipas saj, ky proces ka qenë ilegjitim dhe i pabarabartë, sepse kryetari ka qenë i paracaktuar. “Ky proces nuk do të sjellë asgjë të re, vetëm do të rikonfirmojë në krye të PS-së, Edi Ramën”, - ka thënë ajo. Çaka ka theksuar se Rama nuk duhet të rikandidonte. Sipas saj, në listat e PS-së ka emra që nuk janë më pjesë e PS-së, pra do të thotë se në fakt numri i socialistëve që duhet të votonin sot nuk është 82 mijë. Çaka tha se edhe gara mes kandidatëve për kreun e PS-së nuk ka qenë e barabartë. “Në takime brohoritje kishte vetëm për Ramën, do të thotë se porositeshin njerëzit se për kë duhet të votonin”, - argumentoi ajo. Ish-kryetarja e Komisionit Zgjedhor në PS ka pohuar se nuk mori pjesë në zgjedhje. “Vota ime nuk mund të shkonte për një kandidat që ishte paracaktuar se do të ishte kryetar i PS-së”, - tha ajo. Lidhur me akuzat e Nanos pak ditë më parë ndaj Ramës se ai është kërcënuar me jetë, Çaka tha se i beson fjalës së Nanos. “Edhe ne që jemi anëtarë të PS-së kërcënimet na vijnë në forma të ndryshme, ndaj unë i besoj fjalës së Nanos”,- tha ajo, ndërsa shtoi se Nano ka të drejtë të garojë si për kryetar bashkie ashtu edhe për president.
Ky lajm është publikuar: 29/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›