E Diel, 1 Nëntor 2026

Atëherë Banda e Durrësit “lulëzonte“ nga trafiku i femrave

29/09/2009  Për të parën herë dëgjohet dëshmia më e rëndësishme e Colit.

TIRANË- Debate, largime të avokatëve, kundërshtim i prokurorëve dhe fillim i një dëshmie të shumëpritur nga i penduari i bandës së Durrësit, ishin objekt i procesit që vazhdoi për më shumë se dy orë tek krimet e rënda. Gjykata ka arritur më në fund të zhbllokojë procesin gjyqësor kundër bandës së Lulzim Berishës. Pas më shumë se 30 muaj gjykimi ( 95 seanca) tek krimet e rënda, Adriatik Colit i jepet mundësia të“hap gojën”, për t’i treguar gjykatës se nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij. Por duket se “loja” ishte stisur për së mbari nga avokatët mbrojtës, të cilët fillimisht bënë sikur ranë dakord. Seanca gjyqësore ashtu si ishte planifikuar u zhvillua me dyer të mbyllura. Nën masa të rrepta sigurie, Adriatik Coli mori fjalën para trupit gjykues dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit. Burime nga brenda gjykatës bënë të ditur se ai mundi të flasë fare pak. Një nga avokatët mbrojtës i tha gjykatës se nuk ndihej mirë me shëndet dhe për këtë arsye duhej të linte sallën e gjyqit për të pushuar. “E kam njohur Lul Berishën në vitin 1994 në Itali. Në atë kohë ai trafikonte femra. Por më mirë ne u njohëm në vitin 1997. Unë jetoja afër me Lul Berishën. Ai vinte shpesh në një palestër në afërsi të shtëpisë sime dhe aty lidhëm miqësi. Në atë kohë Lul Berisha u plagos”. Pas fjalive të para të dëshmuara nga Adriatik Coli, i penduari i bandës së Durrësit, prokurori ka ndërhyrë duke kërkuar saktësinë e tyre. Ndërhyrja e prokurorit ka nervozuar avokatët mbrojtës. I pari që ka reaguar duke lënë sallën e gjyqit ishte avokati Riza Icka. Pas largimit të Ickës, prokurori Martini kërkoi nga Adriatik Coli të saktësonte faktin se kur filloi të merrte pjesë në organizatën e Lul Berishës. Por sërish pati reagime nga avokatët. Ndërkohë që Coli arriti të tregoi edhe për një plagosje të ndodhur në atë kohë, (pra në vitin 1997). Ai tregoi për plagosjen e një personi, të cilin e thërrisnin me emrin Festi. Burime nga salla e gjyqit treguan se Adriatik Coli është shprehur se Festin në vitin 1997 e ka plagosur, Lul Berisha së bashku me kunatin e tij Plaurentin. Përsëri pas kësaj dëshmie ka pasur ndërprerje. Ka qenë i pandehuri Kristian Begu, ai që ka kërkuar të lërë sallën e gjyqit. Pas tij është larguar avokati mbrojtës Pjetër Deda. Ky i fundit i tha gjykatës se kishte konsumuar një kafe në mëngjes dhe nuk ndihej mirë nga gjendja shëndetësore. Seanca pas largimit të avokatit u shty për 10 minuta me shpresën e rifillimit. Por më kot. Avokati mbrojtës nuk u kthye më dhe trupi gjykues u detyrua të shtyj gjyqin për ditën e enjte.

A. Çuka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›