E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton ndryshimet në buxhetin e vitit 2009

29/09/2009  Ulet në 0.5 % të investimit taksa për ndërtimet në proces legalizimi

Qeveria përcakton me ligj bazën e taksës së tabelës dhe nivelin e saj

Me qëllim lehtësimin e procesit të legalizimit dhe trajtimin në mënyrë të barabartë të qytetarëve shqiptarë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 73 vota propozimin e Ministrisë së Financave për të ulur deri në taksën e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja në 0.5 % të vlerës së investimit. Po ashtu, përmes projektligjit

“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9632 datë 30.10.2006. ‘Për sistemin e taksave vendore’, i ndryshuar”, është parashikuar shfuqizimi i një dispozite, e cila lejonte këshillin bashkiak të përcaktonte bazën e taksës së tabelës dhe nivelin e saj, duke ia deleguar këto përcaktime vetë ligjit. “Propozimi i bërë nga ana jonë synon lehtësimin e procesit të legalizimit, proces që ka rritur kostot e larta nga taksat e vendosura nga autoritet e njësive vendore. Synimi është trajtimi i njëllojtë i qytetarëve dhe përshpejtimi i procesit të legalizimit”, - shpjegoi gjatë seancës së djeshme ministri i Financave Ridvan Bode. Ndryshimet në ligj synojnë një ulje të nivelit të aplikimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, duke përgjysmuar nivelin e saj krahasuar me pragun minimal. Aktualisht ligji parashikon një taksë në nivelin 1-3 për qind të vlerës së investimit për të gjitha bashkitë dhe komunat, me përjashtim të bashkisë së Tiranës, ku taksa varion 2-4 për qind të vlerës së investimit. Shtesat dhe ndryshimet e propozuara, duke përcaktuar taksën e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, në masën 0.5 % të vlerës së investimit, bëhen vetëm për ndërtimet e banesave që ndodhen në proces legalizimi. Në ligj janë përcaktuar edhe kategoritë e bazës së taksueshme dhe niveli i taksës së tabelës. Tabelë për qëllime identifikimi, niveli i të cilave është vetëm 1 euro. Zbatimi aktual i kësaj takse në bashkinë më të madhe në vend është në nivelet 1500 lekë/vit, për tabelat në gjuhën shqipe dhe 3 000 lekë/vit, për tabelat në gjithë të huaj. Në këtë projektligj niveli i kësaj takse unifikohet dhe reduktohet vetëm në 1 euro/vit, me arsyetimin se është në të drejtën e biznesit identifikimi i tij, pa e rënduar me kosto shtesë. Tabelë për qëllime reklamimi, e cila mund të jetë tabelë e zakonshme ose elektronike. Aktualisht në Tiranë zbatohen nivelet 10 000 lekë/m2 në vit, për tabelat e zakonshme dhe 15 000 lekë/m2 për ato elektronike. Nivelet e këtyre taksave përcaktohen në ligj dhe unifikohen, duke parashikuar një rritje të nivelit të tyre në 45 000 lekë/m2/vit, me arsyetimin se këto tabela kanë qëllime reklamimi dhe reklama është pjesë e ndjeshme e kostos së biznesit. Këto të ardhura do të shkojnë tërësisht në favor të buxhetit të qeverisjes vendore.

A. Lika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›