E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA dhe BE përgëzojnë Shqipërinë për zgjedhjet e 28 qershorit, inkurajojnë mbajtjen e një dialogu konstruktiv në parlament

Presidenca e BE-së dhe misioni i SHBA-së pranë OSBE-së - pranë Këshillit të Përhershëm të OSBE-së - në Vjenë kanë përshëndetur sot mbajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke vlerësuar deklarimin kryesor se “zgjedhjet e 28 qershorit përgjithësisht përmbushën rekomandimet e OSBE-së”. Në deklarata të posaçme, të dyja misionet e akredituara në Vjenë e cilësuan si të mbyllur këtë kapitull, duke inkurajuar palët që përmirësimin e standardeve zgjedhore ta realizojnë përmes një dialogu konstruktiv mes palëve, duke nënkuptuar edhe normalizimin e situatës, përmes kthimit në parlament të opoztiës kryesore në vend, fraksionit që aktualisht drejtohet nga Edi Rama. Në të njëjtën ditë, ministri i punëve të Jashtme Ilir Meta i ka përshëndetur deklaratat, duke iu bashkuar apelit që opozita të zërë vendet e veta në parlament dhe të japë kontributin e saj për përmirësimin e kuadrit zgjedhor, por së pari për kthimin e një klime politike të besimit dhe vullnetit të mirë, të cilat do të mundësonin edhe kryerjen e reformave, që citohen në raportin e OSBE/ODIHR-it.


Ja edhe deklarata e plotë e Misionit Amerikan në OSBE, përgatitur për qarkullim nga e Ngarkuara me Punë, Carol Fuller, në Këshillin e Përhershëm në Vjenë


Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndesin qytetarët dhe Qeverinë e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 28 Qershor 2009. Qeveria e Shqipërisë ka meritë për përparimin e vërtetë në shumë fronte në këto zgjedhje, ndërsa qytetarët e Shqipërisë meritojnë të përgëzohen për pjesëmarrjen e gjerë në votime dhe për zhvillimin paqësor e të rregullt të zgjedhjeve. Rezultati i votimeve përfaqëson qartazi vullnetin e popullit shqiptar. Raporti Përfundimtar i OSBE/ODIHR konstaton se ndonëse nuk i realizuan plotësisht të gjitha mundësitë që ka Shqipëria, këto zgjedhje plotësuan shumicën e angazhimeve të OSBE-së, duke treguar përmirësime thelbësore në procesin e rregjistrimit të votuesve, kornizën ligjore, procesin e votimit dhe numërimit si dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore. Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë të besueshme për zhvillimin e instrumentave të nevojshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dispozitat e Kodit të Ri Zgjedhor, të miratuara gjatë vitit 2008, ishin me vlera për reformimin e procesit zgjedhor. Edhe nxjerrja e listave të votuesve nga Regjistri i Kompjuterizuar i Qendrës Kombëtare Civile ishte një zhvillim pozitiv dhe domethënës. Po kështu, duhen përgëzuar përpjekjet e Komisionit Qendror Zgjedhor për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve me profesionalizëm dhe transparencë. Megjithatë, disa prej këtyre përmirësimeve nuk rezultuan plotësisht në një klimë të përmirësuar besimi, të cilin ato synonin të nxisnin. Kjo është veçanërisht e vërtetë në fushën e njëanshmërisë mediatike dhe politizimit të disa aspekteve të votimit. Politizimi i aspekteve teknike të procesit, duke përfshirë numërimin dhe nxjerrjen e rezultatit, si dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushatës, minuan besimin publik për procesin zgjedhor. Ne jemi dakord me ODIHR-in se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet në një masë mjaft të madhe në përkushtimin e të gjitha partive politike ndaj gërmave dhe qëllimit të ligjit. Ne kemi besim se Qeveria dhe populli shqiptar do t’i studiojnë me kujdes rekomandimet tërësore të dhëna nga ODIHR në Raportin Përfundimtar dhe do të nxisin kryerjen e ndryshimeve të nevojshme për Shqipërinë, që ajo të shfrytëzojë mundësitë e veta për arritjen e standardeve më të larta për zgjedhje demokratike. Së fundi, dëshirojmë edhe njëherë të përgëzojmë OSBE-në, duke përfshirë edhe ODIHR-in dhe Asamblenë Parlamentare, me rastin e një tjetër misioni të mirëadministruar të vëzhgimit zgjedhor.


Deklarata e plotë e Presidencës në emër të BE-së mbi Zgjedhjet Parlamentare në Republikën e Shqipërisë


Bashkimi Europian u njoh me Raportin Përfundimtar të Misionit të Vëzhguesve Zgjedhorë të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në Shqipëri, më 28 Qershor 2009 dhe përshëndet vlerësimin se këto zgjedhje ishin në përputhje me shumicën e angazhimeve të OSBE-së, edhe pse ato nuk realizuan plotësisht mundësitë e Shqipërisë për arritjen e standardeve më të larta për zgjedhje demokratike. Raporti thekson se zgjedhjet treguan progres të prekshëm, sidomos lidhur me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit, kornizën ligjore, votimin, numërimin dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore. Fatkësisht, këto përmirësime u zbehën nga politizimi i aspekteve teknike të procesit, duke përfshirë numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultatit, si dhe shkeljet e vërejtura gjatë fushtës zgjedhore. BE-ja thekson rëndësinë e garancive për korrigjimin e mangësive të këtyre zgjedhjeve si dhe ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve që përfshihen në këtë raport nga ana e Qeverisë. BE inkurajon Qeverinë e re dhe partitë politike në Shqipëri për të vijuar me një dialog politik konstruktiv. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kërkesë thelbësore për plotësimin e kritereve për antarësim në BE. BE-ja është e vendosur të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në këtë proces të rëndësishëm, duke e ndihmuar atë për të ecur përpara drejt integrimit Europian.


Reagimi i parë pas deklaratave i Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z.Ilir Meta


Dua të përshëndes vlerësimet shumë pozitive të konfirmuara sot, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, nga përfaqësuesit e Presidencës suedeze të BE-së dhe SHBA-së, lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, të cilat evidentojnë qartë arritjet dhe progresin e dukshëm në shumicën e objektivave, për standartet e këtyre zgjedhjeve. Vota e 28 Qershorit shpreh në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme vullnetin e popullit shqiptar. Edhe sot përfaqësuesit e Presidencës suedeze të BE-së dhe SHBA-së vlerësuan në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së se raporti final i OSBE-ODIHR konstaton qartë se Shqipëria ka përmbushur shumicën e angazhimeve të OSBE-ODIHR dhe konfirmon arritje substanciale në procesin e regjistrimit të votuesve, kuadrin ligjor, procesin e votimit, numërimit dhe zgjidhjes së ankimimeve. Qeveria e integrimit europian falënderon OSBE-ODIHR si dhe partnerët tanë kryesorë, BE dhe SHBA për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe permanente që japin për progresin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ajo rikonfirmon se do të bashkëpunojë ngushtë në të ardhmen me këta partnerë për të adresuar vërejtjet dhe rekomandimet e tyre, në mënyrë që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë tërësisht i standarteve më të larta demokratike, siç i takon një vendi europian. Me këtë rast dua të ftoj edhe njëherë dhe sinqerisht opozitën të ushtrojë përgjegjësitë e saj në mënyrë konstruktive dhe atdhetare për Reformën e ardhshme zgjedhore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›