E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: PS-ja po i fal 5 njësi vendore qeverisë

Ben Blushi deklaroi se me vendimet, që po merren, në një të ardhme, PS-ja mund të dalë jashtë sistemit

TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, doli hapur kundër vendimit të marrë nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit dhe qëndrimit të saj për të mos hyrë në Parlament. Gjatë një prononcimi për mediat, Blushi theksoi se ky vendim i partisë ku ai bën pjesë, është një vendim demotivues dhe i paarsyetuar, duke i falur, sipas tij, pesë njësi vendore qeverisë. Sipas Blushit, kjo nuk është mënyra që duhet të operojë Partia Socialiste, duke u tërhequr nga pozicionet e saj, si nga Parlamenti po ashtu edhe nga zgjedhjet e pjesshme lokale.

Kjo, sipas deputetit socialist, krijon dhe hap rrugën edhe për bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale të vitit 2011. "Jam kundër vendimit për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki dhe komuna, sepse mendoj se është demotivues dhe i paarsyetuar, sepse besoj që po i falim 5 njësi vendore qeverisë duke mos marrë pjesë. Unë besoj se kjo nuk është qasja e duhur. PS-ja po tërhiqet nga të gjitha pozicionet e saj, nga Parlamenti, nga pushteti lokal, dhe rrezikon që në këtë rrugë të bojkotojë edhe zgjedhjet e ardhshme lokale në rast, siç ka gjasa për fat të keq, kutitë nuk do të hapen. Për të njëjtat arsye, PS-ja mund të mos hyjë në zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të thotë që partia del jashtë sistemit", - tha dje Blushi.

Ai pohoi më tej, se Partia Socialiste duhet të marrë pjesë në Kuvend dhe se presioni ndërkombëtar dhe presioni i brendshëm i PS-së, do ta detyrojë grupin parlamentar, që herët apo vonë të kthehen në sallën e Parlamentit. Sipas Blushit, opozita duhet të jetë në Kuvend, pasi mungesa e saj favorizon mazhorancën qeverisëse. "Jam duke pritur që durimi të soset, sigurisht dhe presioni ndërkombëtar si dhe presioni i brendshëm i PS-së të detyrojë dhe të motivojë grupin parlamentar që herët apo vonë do të kthehen në sallën e Parlamentit, sepse jam i bindur që i vetmi faktor politik që favorizohet nga mungesa e opozitës në Parlament, është qeveria. Jemi aty për t'u votuar, për të bindur shqiptarët se ne jemi shumicë në Shqipëri", - u shpreh deputeti i PS-së. Parlamenti dhe jo protestat, sipas Blushit, është vendi i vetëm ku Partia Socialiste mund t'u tregojë shqiptarëve që është shumicë, dhe mund t'i bindë ata për ta votuar në të ardhmen.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›