E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Topi: BE-ja nuk e ka trajtuar njësoj Ballkanin

Presidenti i Republikës tha se shtyrja e bisedimeve për statusin e vendit kandidat është çështje teknike



TIRANË - "Bashkimi Evropian ka pasur një trajtim disi të diferencuar ndaj vendeve të Ballkanit lidhur me liberalizimin e vizave". Qëndrimi vjen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili në një intervistë për gazetën sllovene "Dnevnik" ka folur gjatë lidhur me liberalizimin e vizave, situatën politike në vend si dhe për progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë. I pyetur nëse Shqipëria do të mund të përfitojë nga liberalizimi i vizave në fund të vitit të ardhshëm, Presidenti i Republikës u përgjigj: "Ne shpresojmë që do të ketë një qëndrim të unifikuar të Bashkimit Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit, sepse deri tani ka pasur një trajtim disi të diferencuar. Shpresojmë që Bashkimi Evropian do ta marrë në konsideratë që janë vende që kanë shumë ngjashmëri në trajtimin e problemeve.

Unë mendoj që do të ishte më mirë që gjërat të vinin sa më shpejt. Ne shpresojmë që viti 2010 do të jetë shumë i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Kjo është, së paku, ideja e institucioneve, por edhe pritshmëria e publikut. Gjithsesi, kjo qëndron në duart e Bashkimit Evropian". Lidhur me shtyrjen e bisedimeve të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, Presidenti i Republikës theksoi se në këtë mes nuk ka çështje politike. "Nuk ka çështje mosbesimi, ka vetëm çështje teknikaliteti, që kanë të bëjnë edhe me situatat e formatimit të strukturave që dalin nga zgjedhjet parlamentare të disa vendeve të Evropës, sikurse është rikonfigurimi i Parlamentit Gjerman", - sqaroi Topi. Lidhur me problemet konkrete që ngre raporti i Komisionit Evropian si lufta e pakët kundër korrupsionit, apo pastrimi i parave, Presidenti i Republikës shtoi se këto janë vërejtje, që kërkojnë medoemos një konsolidim të institucioneve specifike, që merren me luftën kundër krimit të organizuar, kundër krimit të pastrimit të parave.

"Unë mendoj që Shqipëria ka bërë një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar. Shumë banda kriminale sot janë para drejtësisë. Kjo betejë është e përditshme",- tha ai. Presidenti i Republikës shtoi se, Shqipëria ka punuar mirë në kontrollin e kufijve, kundër krimit të organizuar dhe rolit, që ka luajtur policia. Presidenti i Republikës është pyetur edhe mbi efiçencën e qeverisjes aktuale dhe mbi faktin nëse qeveria do të pranojë hapjen ne kutive të votimit. "Unë mendoj që stabiliteti i institucioneve të Shqipërisë është i dukshëm. Vërtet ka një koalicion të ri qeverisës, por në thelb ky është një vazhdim i qeverisjes së mëparshme, sepse pjesa më e madhe mbulohet nga ministra të Partisë Demokratike dhe Kryeministri është po ai që ka qenë .Vërtet ka probleme të debatit politik me pozitën.

Unë nuk mendoj që këto probleme zgjidhen me institucione të tjera, por zgjidhen vetëm me vullnet politik të partive që janë në proces. Ky debat është ende në vazhdim. Nuk mund të bëjmë ndonjë parashikim, por shpresoj që gjithçka të kthehet në dialog normal!", tha Topi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›