E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Rama nuk është më kryetar i PS-së

Ben Blushi harton rezolutën për njohjen e zgjedhjeve dhe ndërprerjen e mandatit të Ramës. Pro qëndrimit të tij, 15 anëtarë të asamblesë


Blushi: PS të njohë zgjedhjet


TIRANË - Ben Blushi, Arben Malaj, dhe disa anëtarë të tjerë të asamblesë kombëtare të PS-së, kanë mbështetur dje një tjetër rezolute, që konsistonte në njohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Edhe pse dënohen veprimet e qeverisë për deformimin e zgjedhjeve, Blushi dhe disa anëtarë të tjerë të Asamblesë Kombëtare kërkuan që të pranohet humbja e PS-së në zgjedhje.


Në të njëjtën linjë, anëtari i kryesisë, Ben Blushi, ka folur edhe gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të asamblesë. "Fatkeqësisht, zgjedhjet e 28 qershorit janë humbur. Dikush thotë se askush nuk ka fituar dhe kjo mund të jetë përgjithësisht ngushëlluese.


Por këtu ne jemi në shtëpinë tonë dhe jo tjetërkund dhe për këtë arsye duhet të flasim për pamundësinë që kemi për të qeverisur Shqipërinë. Ne u futëm në këto zgjedhje për të qeverisur vendin dhe këtë mundësi nuk do ta kemi. Ne u futëm në këto zgjedhje për të pasur më shumë vota se Sali Berisha dhe e djathta dhe këtë fakt nuk e kemi",- është shprehur Blushi gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura.


Blushi i është referuar edhe qëndrimit zyrtar të partisë, se PS-ja ka marrë më shumë se 10 mijë vota. "PS-ja është parti e parë në Shqipëri historikisht, por është e dhimbshme të thuash dhe të pranosh se megjithëse është parti e parë, sot ajo nuk qeveris dot. Kjo na e bën arsyetimin dhe fajin edhe më të rëndë secilit prej nesh",- është shprehur Blushi.


Përmes një fjalë të gjatë, Blushi ka atakuar direkt kryetarin e PS-së, Edi Rama, duke e cilësuar këtë të fundit përgjegjësin kryesor për humbjen e zgjedhjeve. Për këtë arsye, në një ndër pikat e rezolutës së përgatitur nga ai, kërkohej zbatimi i statutit nga ana e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për ndërprerjen e mandatit.


"Mandati i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që sot është ndërprerë, pasi ka hyrë në fuqi statuti i partisë, çka ai ka qenë i detyruar ta pranonte gjatë punimeve të sotme të Asamblesë Kombëtare", - është shprehur Blushi për mediat. Megjithatë, përpos qëndrimit kritik të mbajtur brenda asamblesë, por edhe jashtë, gjatë deklarimeve për mediat, rezoluta e Ben Blushit u mbështet vetëm nga 15 anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së.


Pikërisht për këtë arsye, menjëherë pas votimit, Blushi u shpreh se rezoluta e hartuar prej tij nuk ishte çështje numerike, por parimesh. "Nuk është çështje numerike, por parimesh. Opozita do të jetë në Kuvend. Ky është vendimi i kësaj dite. Të tjerat janë nuanca.


Në fund të ditës aksioni i vetëm që PS-ja ka marrë dhe për këtë kemi kontribuar, është futja e saj në Kuvend",- tha dje Blushi. Ndërkohë, gjatë prononcimeve të mbajtura gjatë ditës së djeshme, Blushi ka lënë të hapur edhe mundësinë e kandidimit për postin e kryetarit të partisë. Pro rezolutës së Blushit dhe qëndrimit të këtij të fundit, prej ditësh është pozicionuar edhe anëtari tjetër i kryesisë, Arben Malaj, i cili e ka shfaqur hapur ambicien e tij për postin e kryetarit të partisë.


"Pas rezultatit përfundimtar të KQZ-së, ku u miratuan mandatet, duhet të pranojmë rezultatin. PS-ja nuk mund të humbasë më kohë me debate për rezultatin zgjedhor, ajo duhet të përgatitet me një vizion të gjatë se si do të rikthejë kredibilitetin politik, si do t'u kthejë shqiptarëve besimin",- tha dje Malaj, në një deklarim për mediat.


Rezoluta e Ben Blushit:


Asambleja Kombëtare e PS-së angazhohet të përgatisë një analizë të thelluar të humbjes dhe të identifikimit të shkaqeve të rezultatit zgjedhor përmes një platforme ku përcaktohen masat për përmirësimin e situatës dhe përgatitjen për ballafaqimet e ardhshme elektorale, të cilat duhet të diskutohen dhe miratohen në një kongres të jashtëzakonshëm, pasi të jenë kryer të gjithë këto veprime në organizatat dhe forumet e zgjedhura të partisë.

Angazhohet dhe kërkon respektimin rigoroz të të gjithë rregullave statutore lidhur me përgjegjësitë për humbjen e zgjedhjeve dhe funksionimin e institucioneve e të forumeve të partisë.


Kërkon zhvillimin e veprimit politik opozitar në Kuvendin e Shqipërisë dhe distancohet nga çdo nismë apo qëndrim që çon në bojkotimin e Kuvendit dhe e largon grupin kuvendor apo forumet e partisë nga veprimi institucional.


Nuk pajtohet me çdo veprim që synon goditjen e të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, duke kërkuar në të kundërtën zhvillimin e një fryme gjithëpërfshirëse, solidariteti e pune të përbashkët në ekip.


Kërkon përgatitjen e një strategjie efikase për marrjen e nismave, që synojnë përmirësimin e institucionalizimin e marrëdhënieve bashkëpunuese me të gjithë aleatët e koalicionit të "Bashkimit për Ndryshim", si dhe zgjerimit të marrëdhënieve bashkëpunuese me aleatë të tjerë brenda dhe jashtë Kuvendit, të gatshëm për zhvillimin e veprimeve opozitare të përbashkëta, në funksion të bashkëpunimit në ballafaqimet e ardhshme elektorale.


Kërkon përmes grupit të saj kuvendor hetimin parlamentar të të gjithë deformimeve e parregullsive të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.


Rezoluta e kryetarit të PS-së, Edi Rama:
Asambleja Kombëtare e PS-së vendosi:

T'i konsiderojë zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi e humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë sonë bashkëkohore standardet demokratike evropiane dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës për deformimin e qëllimshëm të procesit zgjedhor e të rezultatit të tij.


Ta vlerësoje rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm, si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit.


Të konsiderojë me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t'i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Kuvendit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit.


Të distancohet hapur nga çdo rrugë e përpjekje për t'i imponuar Partisë Socialiste, opozitës në tërësi e opinionit publik, miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor, që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar dhe të nxisë komunikimin intensiv të kësaj force të madhe politike me qytetarët shqiptare e komunitetin ndërkombëtar për gjendjen kritike të demokracisë në vend.


Të afirmojë vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor me të gjithë instrumentet ligjorë e kushtetues, të shprehë predispozitën e plotë të forcës sonë politike për të përdorur çdo mjet demokratik për këtë qëllim, si dhe të bëjë publikisht të qartë angazhimin tonë për një opozitë pa kompromis me një qeveri pa mandat politikisht legjitim.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›