E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Dodës, arrestohen dy të tjerë

Policia e Elbasanit ka prangosur dje Marjus Tafën dhe Shkëlzen Shtrepin me akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e ish-policit


ELBASAN- Policia e Elbasanit ka arrestuar pasditen e djeshme dy persona të tjerë të akuzuar për vrasjen e ish-policit Roland Rexhepi, i njohur me pseudonimin Doda. Marjus Fatmir Tafa, 21 vjeç, dhe Shkëlzen Shefki Shkrepi, 30 vjeç, janë arrestuar me kërkesë të prokurorisë. Ata akuzohen se në bashkëpunim me shtetasit Armand Llakaj dhe Arben Jaçe, kanë kryer vrasjen e Roland Rexhepit.


Dy të arrestuarit e djeshëm janë tradhtuar nga gjurmët e lëna në vendin e ngjarjes si dhe ato në shiringën e drogës. Sipas policisë, dy të arrestuarit e djeshëm dyshohet se janë edhe personat që kanë ruajtur Dodën duke qëndruar në furgon. Ata kanë parë lëvizjet dhe me anë të celularit kanë njoftuar dy të tjerë që duhet të kryenin krimin mbi motor të maskuar. Po dje Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg pa afat për dy të arrestuarit e parë.


Mesditën e së martës, shumë efektiva në masa të forta sigurie kanë shoqëruar në gjykatën e Elbasanit një e nga një të dyshuarit për vlerësimin e kërkesës së prokurorisë në gjykatë. I pari që ka mbërritur i shoqëruar nga agjentët ka qenë Arben Jaçe. Ai është mbrojtur nga avokati Gëzim Veleshnja. Prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, ka deklaruar se më 22 korrik i pandehuri ka qenë bashkautor në vrasjen e Roland Rexhepit. Gokaj ka paraqitur si prova motorin, armën e krimit, maskat, furgonin etj. Por prova kryesore që ka fundosur të akuzuarin është gjurma e gishtërinjve të dorës së majtë e gjetur në motor. Ndërkohë, avokati mbrojtës i të akuzuarit ka thënë se arrestimi është i padrejtë pasi Jaçe, ditën e krimit ndodhej në Tiranë nën shoqërinë e shokëve dhe miqve të tij.


Sipas avokatit, Arben Jaçe ushtron aktivitet privat shitje dhe rregullim motorësh dhe gjurmët në motor janë thjesht një rastësi e shitësit apo e rregulluesit të motorit. Ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të klientit. Ndërkohë prokurori ka shtuar se ekzistojnë edhe prova të tjera që e implikojnë këtë shtetas në vrasje. Sipas prokurorit, provë janë fijet e flokut të gjetura në maskën e mbajtur nga autorët. Pasi ka dëgjuar palët trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin dhe ka lënë në burg Jaçen.


I dyti në sallën e gjyqit është dërguar i dyshuari kryesor për të shtënat mbi trupin e Roland Rexhepit, Armand Llakaj. Por ai nuk kishte mundur që të gjente avokat dhe gjykata i ka caktuar një kryesisht. Edhe avokati i dytë nuk ka pranuar që të mbrojë të arrestuarin. Avokati i tretë i është siguruar nga dhoma e avokatëve. Gjatë seancës Llakaj ka thënë vetëm fjali të shkëputura. "Ta marrin vesh të gjithë se ne rrimë kot këtu. Nuk janë të vërteta ato që thuhen. Më kanë arrestuar kot. I kanë shpikur e manipuluar të gjitha për të më përfshirë mua. Unë jam i pafajshëm",- ka thënë Llakaj.


Ndërsa prokurori tha se janë administruar si prova dy krehër fishekë, arma, motori, dy maska në një rrugicë ndërsa brenda në furgon, 3 shiringa, bishta cigaresh dhe një maskë pambuku. Gjurmët e shënuara në motor ishin të Armand Llakajt, i skeduar dhe i dënuar në vitin 1998. Sipas prokurorisë, Armand Llakaj, dyshohet se ka qenë edhe autori i krimit. Bazuar në këto prova gjykata vendosi ta lërë Llakajn në burg.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›