E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Të pranojmë humbjen

Aristir Lumezi 

Mbledhja e kryesisë socialiste nuk i ka shpëtuar debateve për humbjen e zgjedhjeve nga PS. Anëtari i kryesisë së PS, Ben Blushi i ka kërkuar kryetarit socialist të njohë humbjen e PS-së, e cila sipas tij, edhe nëse merren mandatet që pretendohen, ajo nuk del parti fituese. Blushi nga ana tjetër ka kërkuar që në mbledhjen e ardhshme të kryesisë të bëhet analiza e humbjes së zgjedhjeve. Ndërsa kryesia ka vendosur që të nxjerrë popullin në protesta për të kundërshtuar manipulimet sipas tyre të rezultatit të zgjedhjeve nga ana e PD-së dhe KQZ-së. Jo vetëm kaq, kryesia ka vendosur që të bojkotojë Parlamentin e ri duke e cilësuar atë ilegjitim dhe të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve nëse KQZ i mohon PS mandatin e 9 të qarkut Fier. Kryetari socialist Edi Rama mblodhi dje në mesditë për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kryesinë e tij për të vendosur qëndrimin e PS-së ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Rama në nisje të fjalës së tij ka kërkuar marrjen e një vendimi rreth qëndrimit që kjo parti duhet të marrë për mandatin që kërkon në Berat dhe në Fier. Para se KQZ të nxjerrë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, socialistët nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre i pak ditëve më parë në KZAZ-në e Libofshës, port të mbrojtur kutitë me popull në rrugë. Kryetari i Asamblesë socialiste, numri dy i selisë rozë, Gramoz Ruçi ka kërkuar edhe njëherë angazhimin e popullit për të mbrojtur votën. Madje ai ka shkuar edhe më tej, kur ka hedhur idenë e bojkotimit të parlamentit të ri dhe shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme. “Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk na jep mandatin e nëntë që na takon në qarkun e Fierit por dhe në Berat e gjetkë, PS nuk duhet të njohë zgjedhjet, të bojkotojmë kuvendin dhe të shpallim zgjedhjet të paligjshme dhe të mos i njohim ato. Ne duhet të ngremë popullin për votuan e manipuluara të Berishës dhe KQZ-së”, është shprehur Ruçi. Gjatë katër viteve të të bërit opozitë socialistët e kanë aplikuar në shumë pak raste bojkotimin e parlamentit, edhe kur e kanë bërë ajo ka qenë vetëm për seanca të veçanta, duke dëshmuar në këtë mënyrë epërsinë e “Politikës së re”. Po i këtij mendimi ka qenë edhe anëtari tjetër i kryesisë socialiste, Namik Dokle i cili ka mbështetur Ruçin për protesta në mbrojtje të votës së lirë. “Ne si parti nuk duhet të njohim parlamentin e ri për shkak të manipulimeve që janë bërë. Për këtë duhet të ngrejmë popullin në protesta për votën e lirë që atij i është mohuar. Reagimi dhe shqetësimi i socialistëve është i madh prandaj dhe ata presin vendimin tonë. Po na grabitet mandati i Fierit dhe Beratit”, është shprehur Dokle në mbledhjen e kryesisë. Këtë qëndrim e kanë mbështetur dhe anëtarë të tjerë të kryesisë si Arta Dade, Fatmir Xhafaj etj. Por, Ben Blushi, gjatë fjalës së tij, ka kërkuar jo vetëm mbrojtjen e votës, por edhe pranimin e humbjes. “Ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet të marrim mandatet që na takojnë kudo ku ne pretendojmë dhe na është dhënë vota në Berat, Fier e kudo. Vota jonë nuk duhet të tjetërsohet nga KQZ. Por dua të them në këtë kontekst se edhe nëse ne i marrim një apo dy mandate që pretendojmë ne nuk dalim koalicion fitues. Kjo situatë është pasojë e faktit që nuk nuk i kemi fituar zgjedhjet dhe duhet ta pranojmë humbjen. Në lidhje me bojkotimin e parlamentit do thoja se ne nuk jemi parti parapolitike, por duhet të sillemi si parti e madhe dhe e pjekur. Sa i takon LSI-së, Ilir Meta ka votat e tij, ishte koalicion më vete dhe i takon atij të vendosë dhe të bëjë ç’të dojë me to”, është shprehur Blushi. Pas tij, dy herë ish kryeministër i vendit, Pandeli Majko ka qenë mjaft i ashpër për mënyrën se si duhet të reagojë PS për të mbrojtur votën. Majko ka mbështetur idenë e hedhur nga Ruçi dhe Dokle për protesta. “Nuk jemi mbledhur këtu për të bërë bilancin e dhe analizën e zgjedhjeve, por për të vendosur strategjinë tonë për mbrojtjen e votës së shqiptarëve që po tenton të tjetërsohet nga manekinët e KQZ-së. Duhet të ngremë popullin në protesta për të ruajtur votën. Jam plotësisht dakord për bllokimin e parlamentit”, u shpreh Majko. në përgjigje të deklaratës së Majkos, Ben Blushi ka kërkuar që të mos shmanget analiza e rezultatit të zgjedhjeve dhe marrja e përgjegjësive. “Jam dakord që të kërkojmë votën tonë, sepse ajo nuk duhet të tjetërsohet, por unë po pres mbledhjen e ardhshme të kryesisë që të analizojmë pse kemi humbur zgjedhjet”, është përgjigjur Blushi duke i kërkuar kryetarit socialist përcaktimin e axhendës së mbledhjes së ardhshme të kryesisë socialiste. Edhe anëtari i kryesisë Arben Malaj ka qenë dakord të kërkohet vota e hedhur nga elektorati, por nuk ka mbështetur idenë e bojkotit të parlamentit. “Duhet të bëjmë përpjekje që të marrim mandatin e pestë në Berat dhe mandatin e nëntë në Fier, por nuk jam dakord për të bllokuar parlamentin. Duhet të tregojmë atë lloj opozite për të cilën na votuan dhe shqiptarët”, është shprehur Malaj. Pas mbledhjes së kryesisë kryetari socialist ka shprehur përmes një konference për shtyp vendimin e kryesisë. 

Debatet në kryesi

Edi Rama: Ju kam thirrur që të diskutojmë dhe të marrim një vendim për mandatin e pestë që presim të marrim në Berat dhe mandatin e nëntë në Fier, për të cilin KQZ-ja po vepron me urdhra politikë. Për këtë qëndrim duhet të marrim një vendim politik.
Gramoz Ruçi: Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk na jep mandatin e nëntë që na takon në qarkun e Fierit, por dhe në Berat e gjetkë, PS-ja nuk duhet të njohë zgjedhjet, të bojkotojmë Kuvendin dhe të shpallim zgjedhjet të paligjshme dhe të mos i njohim ato. Ne duhet të ngremë popullin për votat e manipuluara të Berishës dhe KQZ-së.
Namik Dokle: Ne si parti nuk duhet të njohim parlamentin e ri për shkak të manipulimeve që janë bërë. Për këtë duhet të ngremë popullin në protesta për votën e lirë që atij i është mohuar. Reagimi dhe shqetësimi i socialistëve është i madh, prandaj dhe ata presin vendimin tonë. Po na grabitet mandati i Fierit dhe Beratit.
Ben Blushi: Ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që të marrim mandatet që na takojnë kudo ku ne pretendojmë dhe na është dhënë vota në Berat, Fier e kudo. Vota jonë nuk duhet të tjetërsohet nga KQZ. Por dua të them në këtë kontekst se edhe nëse i marrim një apo dy mandate që pretendojmë ne nuk dalim koalicion fitues dhe koalicioni ynë nuk rezulton fitues. E gjitha kjo vjen për shkak se ne nuk i kemi fituar zgjedhjet dhe duhet ta pranojmë humbjen. Jam kundër bojkotimit të Parlamentit sepse ne nuk jemi parti parapolitike, por jemi parti e madhe dhe e pjekur. Ne duhet të përgatitemi për vjeshtën e opozitës. Sa i takon LSI-së, Ilir Meta ka marrë votat e tij, ishte koalicion më vete dhe i takon atij të vendosë dhe të bëjë ç’të dojë me to.
Pandeli Majko: Nuk jemi mbledhur këtu për të bërë bilancin e dhe analizën e zgjedhjeve, por për të vendosur strategjinë tonë për mbrojtjen e votës së shqiptarëve që po tenton të tjetërsohet nga manekinët e KQZ-së. Duhet të ngremë popullin në protesta për të ruajtur votën. Jam plotësisht dakord për bllokimin e Parlamentit dhe të mos njohim zgjedhjet.
Ben Blushi: Jam dakord që të kërkojmë votën tonë, sepse ajo nuk duhet të tjetërsohet, por unë po pres mbledhjen e ardhshme të kryesisë që të analizojmë pse kemi humbur zgjedhjet.
Arben Malaj: Duhet të bëjmë përpjekje që të marrim mandatin e pestë në Berat dhe mandatin e nëntë në Fier, por nuk jam dakord për të bllokuar Parlamentin. Duhet të tregojmë atë lloj opozite për të cilën na votuan dhe shqiptarët. 

Kryesia e ps

Gramoz Ruçi   
Arben Malaj
Arben Isaraj
Ermelinda Meksi
Mimoza Hafizi
Saemira Pino
Valentina Leskaj
Pandeli Majko
Ben Blushi
Erion Braçe
Eva Allushi
Ledi Shamku
Namik Dokle
Shpëtim Idrizi
Mimi Kodheli
Lindita Nikolli

Sekretarët
Blendi Klosi
Arta Dade
Kastriot Islami
Andis Harasani
Fatmir Xhafaj
Et’hem Ruka
Edlira Haxhiymeri
Besnik Bare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›