Braçe: Berisha po vjedh mandatin e PS-së në Berat
Kandidati i PS-së për deputet, Erion Braçe, akuzoi dje kryeministrin Berisha se po vjedh mandatin e pestë të kësaj partie në qarkun e Beratit. Në një konferencë për shtyp, Braçe tha se PS-ja ka marrë 8 mijë vota më shumë se koalicioni PD-LSI në qarkun me 8 deputetë. “Në Berat, qytetarët i kanë dhënë PS-së mandatin e 5-të, (dua t’ju kujtoj se edhe me bashkimin e ri Berisha-Meta, PS-ja ka 8 mijë vota më shumë), mandat i cili po vidhet nga Sali Berisha. Kemi kërkuar rivlerësimin e 750 votave të pavlefshme, të shpallura të tilla në kushte presioni e pa vendim të administratorëve në KZAZ nr.1", tha Braçe. Gjithashtu PS-ja ka kërkuar rivlerësim të 1448 fletëve të votimit të pavlefshme, të shpallura të tilla me vendim numerik shumice të administratorëve të KZAZ nr.2.