E Diel, 1 Nëntor 2026

Braho: Na akuzojnë tradhtarë ata që i thanë tradhtar Dritëroit në 1991

 

Anëtari i kryesisë së LSI-së Spartak Braho u shpreh dje se Ilir Meta kthehet në qeveri për të zgjidhur krizat që po kalon vendi.  “Koha e solli që Ilir Meta, si njeriu që zgjidh krizat të kthehet për zgjidhjen e krizës aktuale. Meta ka treguar se është njeriu i duhur që mund të zgjidhë krizat dhe natyrisht edhe në këto kushte pas zgjedhore, LSI merr pjesë në zgjidhjen dhe menaxhimin e kësaj krize me sukses, madje nuk mund të lejojë që ata që e kanë krizën brenda ta transferojnë atë jashtë”, tha Braho. Nënkryetari i LSI-së Sabit Brokaj ka qenë i vetmi eksponent brenda kësaj force politike që ka dalë kundër marrëveshjes së LSI-së me PD në qeverisje. Në përgjigje të qëndrimit të Sabit Brokajt, anëtari i kryesisë dhe deputet i LSI-së Spartak Braho u shpreh se “na quajnë tradhtarë po ata që i thanë Dritëroit tradhtar në kongresin e PS në vitin 1991”. Braho akuzoi PS se vazhdimisht gjatë katër viteve të fundit ka bashkëpunuar me PD. “Nga 756 ligje, 700 ligje janë miratuar përmes një konsensusi PS-PD. Pra të dyja palët, PD-PS kanë qeverisur bashkë. Ata thonë se LSI do qeverisë me qeverinë e Gërdecit, ndërkohë që ata rrëzuan kërkesën e LSI-së për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit”, tha Braho. Deputeti i LSI-së shpalosi dje dhe prioritetet e kësaj force politike në qeverinë e ardhshme. “Ne s’mund të lemë elektoratin e majtë në mes të rrugës, ne s’mund të lemë veteranët, pensionistët, ushtarakët, minatorët, s’mund të lemë këtë kushtetutë në këtë gjendje që është, këtë kod zgjedhor. PD dhe drejtuesi i saj do jetë nën presionin tonë të vazhdueshëm dhe të mos tallet me këto shtresa. Ne do ti përfaqësojmë ato denjësisht”, tha Braho. Sipas tij, “të majtën tashmë nuk e përfaqëson Edi Rama i cili thotë që LSI tradhtoi zemrat e 83 mijë votuesve të saj, ndërkohë që ai shiti zemrat dhe interesat e mbi 700 mijë votuesve të majtë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›