Blushi: Unë nuk do kandidoj, Malaj: S’ma hoqën të drejtën
BLEDAR HOTI
Ben Blushi nuk do të kandidojë për kreun e Partisë Socialiste. Pas mbledhjes maratonë të Kryesisë që u shoqërua me rrëzimin e platformës, Blushi deklaron prerazi mos konkurrimin për kryetarin e partisë, duke se theksuar se kjo vjen “pasi nuk do të kemi një garë, por do kemi një votëbesim të kryetarit të PS-së”. “Për shkak se konkurrohet në fakt për një mandat të ndërprerë dyvjeçar dhe për çdo kandidat, përjashto Edi Ramën, është e pamundur që të ketë një filozofi drejtimi për një mandat dyvjeçar. Pra, konkurrohet për tepricën e këtij mandati. Unë këto zgjedhje kam vendosur që të mos jem një kandidat, do të jem një votues i thjeshtë, ashtu si 60 mijë anëtarët e PS-së”, deklaroi Blushi. I pyetur nëse do të mbështesë Arben Malaj në këtë përballje me kreun aktual, ai deklaroi se: “Është shpejt për të folur, padyshim unë nuk mund të votoj për atë që ka humbur këto zgjedhje”. Ndërsa Arben Malaj, pas mbledhjes së Kryesisë e la të hapur mundësinë e kandidimit përballë Edi Ramës. “Kongresi të paktën tek pjesa e kandidatëve potencial nuk do të jetë i mbyllur”, deklaroi Malaj. Ndërsa Blushi theksoi se me këtë kongres po synohet që të shigjetohen njerëz dhe të gjenden fajtorë për humbjen e zgjedhjeve. “Po shkojmë pra një kongres me dyert të mbyllura, i cili nuk premton ndonjë gjë të madhe për të ardhmen e PS-së. Përsëri PS-ja po vonohet, kjo për arsye personale të Edi Ramës, i cili do të krijojë alibi se i ka fituar zgjedhjet, që në fakt kjo nuk ka ndodhur ne jemi në opozitë. Dhe alibitë personale të Edi Ramës për marrjen peng të PS-së, shpresoj se kjo të mos kthehet në një psikozë kolektive dhe më gjerë se kaq”, tha Blushi. Ndërsa Malaj i cilësoi si një hap pas këto vendime të kryesisë së mbrëmshme. “Është e njëjta Kryesi, e cila për gjysmë ore diskutimi mori vendim për ndryshimet në Kushtetutë dhe mbron në mënyrë fanatike ndryshimet përmirësuese, që disa kolegë i konsideruan të tilla, për dokumentin themeltar të PS-së”, tha ai. Ndërsa nga selia e PS-së i vetmi njoftim zyrtar është një SMS telefonike, në të cilën thuhej se “Kongresi do të jetë i hapur për mediat, kjo gjatë prezantimit të raportimit të krimit elektoral dhe gjatë prezantimit të platformës së kandidatëve”.
Malaj lë mbledhjen për “Facebook”
Në ora 21:00, Arben Malaj është parë duke u larguar nga selia e PS-së, duke lënë vazhdimin e debateve në Kryesi. Arsyeja e largimit të tij ishin për takime personale. Por, më pas është vënë re se Malaj ka qenë tepër aktiv në komunikimin me fansat dhe mbështetësit e tij në "Facebook", pasi e mërkura është dita e bashkëbisedimit me to. Pas një orë e gjysmë bashkëbisedim virtual, Malaj është rifutur sërish në mbledhjen e kryesisë së PS-së.