E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shpëtim Gjika ka probleme me drejtësinë, shiti edhe votat e socialistëve në Vlorë”

Kastriot Islami akuzon kryebashkiakun e qytetit bregdetar

TIRANE – Humbja e socialistëve në zgjedhje, ka bërë që mes tyre të artikulohen për ditë e më shpesh, akuza reciproke për korrupsion dhe shitje votash.
Reagimi më i fundit ka ardhur nga Kastriot Islami, Sekretar për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, i cili  ka akuzuar dje kreun e bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikën, si i përfshirë në afera korruptive të cilat e kanë shtyrë që të ndihmojë në vjedhjen e votave nga kandidatë të Partisë Demokratike në Vlorë. Sipas Islamit, Shpëtim Gjika, jo vetëm që nuk ka ndihmuar në rritjen e votave të socialistëve në qytetin që drejton, por shumë vota kanë rrjedhur me ndërmjetësinë e tij për kundërshtarët demokratë.
“Kryetarë të bashkive socialiste, për fatin e keq, që kanë probleme me drejtësinë, e para; e dyta, që nuk kanë realizuar objektivin elektoral; e treta, në Vlorë gjëmon lajmi jo vetëm midis socialistëve, por midis gjithë popullit të Vlorës që kryetari i bashkisë bashkëpunon ngushtë me ish-deputetë të PD në ndërtimet që bëhen në Vlorë; e fundit, një nga arsyet e mosrealizimit të këtyre objektivave është fakti që ky kryetar ka shitur në favor të një kandidati në pozicionin 4 të PD votat e PS meqenëse janë bashkëpunëtorë dhe në ekipin e futbollit të Vlorës”, u shpreh dje Islami në një dalje publike para mediave.
Reagimi i djeshëm i Kastriot Islamit, i njohur si një nga mbështetësit e qëndrimit “pro” dorëheqjes së Edi Ramës, erdhi pasi më parë, kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika e kishte akuzuar atë si përgjegjësin kryesor të humbjes së zgjedhjeve nga Partia Socialiste, madje duke e cilësuar edhe kryekriminelin e zgjedhjeve te 28 qershorit.
Akuzat mes anëtarëve e drejtuesve lokalë apo qendror të PS-ës, nuk janë të parat. Në këtë situatë ato frymëzohen edhe nga ndarja mes socialistëve për faktin nëse Edi Rama duhet të rikandidojë apo jo për kryetar të Partisë Socialiste. Rastet e reagimeve të anëtarësisë së PS-ës, së Korçës apo Kuçovës, i paraprijnë rastit më të fundit, të një përplasje të Kastriot Islamit me kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›