Kombëtarja anti-Danimarkë, thirren Berisha e Kapllani
Leonard Karaj
Janë pak a shumë po ata futbollistë. Ndryshimi i vetëm qëndron në repartin e sulmit ku janë rithirrur në Kombëtare Edmond Kapllani dhe Besart Berisha. Kuzhe ka grumbulluar 20 lojtarë për takimin e 9 shtatorit ndaj Danimarkës, i vlefshëm për eliminatoret e Botërorit “Afrikë e Jugut 2010”. Grumbullimi do të nisë në fund të muajit dhe Kombëtarja do të ketë në dispozicion plot 8 ditë seanca stërvitore për të përgatitur sa më mirë përballjen me danezët. Takimi i parë në Danimarkë u mbyll me rezultatin 3-0 për vendasit dhe rezultoi edhe i fundit për Arie Haan në krye të Kombëtares shqiptare. Mungojnë në lëtë listë të dëmtuarit, Arian Beqaj dhe Altin Lala, të cilët nuk janë rikuperuar ende.
Sulmuesit
Nuk dihet se çfarë e ka bërë Kuzhenë që të grumbulojë Berishën dhe Kapllanin ndonëse këta të dy nuk janë aktivizuar si duhet në Bundesligë me skuadrat e tyre. Kapllani nuk ka luajtur ende asnjë sekondë me Augsburgun ndërsa Berisha ka luajtur vetëm disa minuta pikërisht përballë kësaj të fundit në fundjavën e kaluar. Në krahasim me lojtarët e grumbulluar në miqësoren e fundit, nga lista e djeshme bën përjashtim Franc Veliu dhe Elis Bakaj. Këtë herë ata nuk janë ftuar, ndërkohë që jashtë kuqezinjve mbeten dhe tre emra të njohur, si mbrojtësit Admir Teli e Endri Vrapi, gjithashtu mesfushori Dorian Bylykbashi.
Kartonët
Janë tetë lojtarë të Kombëtares, që për shkak të kartonëve të verdhë rrezikojnë të mos luajnë në ndeshjen e fundit eliminatore kundër Suedisë. Isli Hidi, Ansi Agolli, Andi Lila, Debatik Curri, Elvin Beqiri, Ervin Skela, Klodian Duro dhe Kristi Vangjeli, nëse ndëshkohen në ndeshjen me Danimarkën, e mbyllin edicionin. Deri më tani, lojtari më i ndëshkuar është Armend Dallku, i cili regjistron katër kartonë të verdhë, të cilët i ka shlyer, si për koincidencë në ndeshjet me Portugalinë, brenda dhe jashtë fushe.
Kombëtarja shqiptare
Portierë: Samir Ujkani (Novara, Itali), Isli Hidi (Krivbas, Ukrainë)
Mbrojtës: Kristi Vangjeli (Aris Selanik, Greqi), Armend Dallku (Vorskla Potlava, Ukrainë), Elvin Beqiri (Vllaznia, Shkodër), Andi Lila (SK Tirana), Debatik Curri (Vorskla Potlava, Ukrainë)
Mesfushorë: Ervin Bulku (Krivbas, Ukrainë), Ervin Skela (Pa skuadër), Gilman Lika (Bulouspor, Turqi), Lorik Cana (Sanderlend, Angli), Ansi Agolli (Krivbas, Ukrainë), Jetmir Sefa (SK Tirana), Emiljan Vila (Lokomotiv Zagreb, Kroaci), Klodian Duro (Apollon Limansol, Qipro), Jahmir Hyka (Mainz, Gjermani)
Sulmues: Hamdi Salihi (SV Ried, Austri), Erjon Bogdani (Kievo, Itali), Edmond Kapllani (Augsburg, Gjermani), Besart Beriasha (Arminia Bielefeld, Gjermani)
Trajner: Jospi Kuzhe
Programi stërvitor
1 shtator 2009: grumbullimi dhe stërvitje në orën 18:00
2 shtator 2009: stërvitje në orën 10:00 dhe në orën 18:00.
Takim me median në orën 12:00 (trajneri dhe një futbollist)
3 shtator 2009: stërvitje në orën 10:00 dhe në orën 18:00 ndeshje kontrolli me U-19. Takim me median ora 12:00 (dy futbollistë)
4 shtator 2009: stërvitje në orën 10:00 dhe në orën 18:00. Takim me median ora 12:00 (dy futbollistë)
5 shtator 2009: stërvitje në orën 10:00. Takim me median ora 12:00 (dy futbollistë)
6 shtator 2009: stërvitje në orën 18:00. Takim me median ora 12:00 (dy futbollistë)
7 shtator 2009: stërvitje në orën 10:00 dhe në orën 18:00. Takim me median ora 12:00 (dy futbollistë)
8 shtator 2009: stërvitje në orën 18:00. Konferencë për shtyp e trajnerit të ekipit kombëtar
9 shtator 2009: ora 20:30, ndeshja Shqipëri-Danimarkë