SHBA, shuhet ikona e politikës, senatori Eduard Kenedi
Blerina Olldashi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vajtojnë për humbjen e njërit prej figurave më të njohura të politikës, senatorit 77-vjeçar Eduard Kenedi. Ai ishte vëllai më i vogël i ish-presidentit Xhon Kenedi dhe një ndër ligjvënësit më me ndikim në historinë amerikane. Familja Kenedi bëri të ditur se ai vdiq ditën e martë në qytetin e vogël Hajanis Port të shtetit Masaçusets. Senatori demokrat vuante nga një formë e pashërueshme e kancerit në tru prej më shumë se një viti. Eduard ishte më i riu i vëllezërve Kenedi dhe u vu në krye të dinastisë politike të familjes, pas vrasjes me atentat të vëllezërve të tij, Presidentit Xhon Kenedi dhe senatorit Robert Kenedi. Eduard ishte njëri ndër anëtarët më me ndikim të Senatit amerikan. Presidenti Barak Obama shprehu dhimbjen e tij për humbjen e figurës së madhe të politikës amerikane dhe tha se Kenedi ishte “senatori më i shquar amerikan i kohës sonë”. Në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, zoti Obama tha se ai dhe bashkëshortja e tij Mishel u hidhëruan kur mësuan për vdekjen e zotit Kenedi. Presidenti tha se i çmonte këshillat e mënçura të senatorit gjatë kohës kur ata ishin të dy anëtarë të Senatit. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen kritike të senatorit Kenedi gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2008. I njohur se “luani liberal”, Eduard ishte një përkrahës i zjarrtë për reformimin e kujdesit shëndetësor, mbrojtës i pagave të punëtorëve dhe i të drejtave të barabarta. Në muajin gusht, presidenti Barak Obama i akordoi atij Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderi më i madh civil në Shtetet e Bashkuara. Senatori demokrat u diagnostikua me kancer në tru në vitin 2008 dhe iu nënshtrua një operacioni të suksesshëm. “E ndiej veten mirë dhe mezi pres të kthehem. Kemi shumë punë për të bërë. Sidomos tani që mezi po pres të punoj së bashku me Barak Obamën”. Megjithatë në muajt në vazhdim shëndeti i tij erdhi duke u përkeqësuar. Në muajt e tij të fundit, Kenedi punoi pa shumë bujë për vënien në jetë të përparësisë kryesore legjislative të Presidentit, reformën e kujdesit shëndetësor, të cilën ai e quante kauzën e jetës së tij. Fillimisht, ai e përdori ndikimin e tij të fuqishëm për të mbështetur kandidatin për president Barak Obama në janar 2008 kur Senatori Obama ishte në betejë me senatoren Hilari Klinton për emërimin e Partisë Demokrate. Eduard Kenedi u zgjodh për herë të parë në Senat në vitin 1962, duke zënë vendin e të vëllait Xhon Kenedi, i cili atëherë sapo ishte zgjedhur president.
Liderët botërorë, mirënjohje dhe vlerësim për senatorin Kenedi
Liderët botëtorë kanë shprehur mirënjohje dhe mesazhe ngushëllimi për senatorin që ndërroi jetë Eduard Kenedi. Kryeministri britanik Gordon Braun tha se Kenedi, “megjithëse u përball me sëmundje të pashërueshmme, kurrë nuk pushoi së luftuari rreth qëllimeve, për realizimin e të cilave punoi tërë jetën”. Ish-kryeministri britanik Toni Bleir e quajti Kenedin “shërbyes të vërtetë civil, i përkushtuar ndaj mirësisë, drejtësisë dhe realizimit të mundësive”. Ish-presidenti amerikan Xhorxh W. Bush e ka ciësuar Kenedin “një figurë me profil të lartë”. Ndërsa kryeministri i Australisë Kevin Rud theksoi se Kenedi i “ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm politikës amerikane, dhe rolit të Amerikës në botë”. Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Shvarceneger tha se Kenedi “ishte i njohur në mbarë botën si ‘luani i Senatit’, kampion i drejtësisë sociale dhe ikonë politike”. “Ai ishte shtylla e familjes sonë”,- tha Shvarceneger, gruaja e të cilit Marija Shriver është mbesë e senatorit Kenedi.
27 Gusht 2009