E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buçkovski: “Maqedonia, shtet i izoluar që eksperimenton”



Vllado Buçkovski, deputet i LSDM-së dhe ish-kryeministër i Maqedonisë, konsideron se politika e Jashtme po eksperimenton, duke e çuar kështu vendin në izolim. Në një intervistë për Radion “Europa e Lirë”, Buçkovski shprehet pesimist për gjendjen e krijuar prej tre vjetësh, ku Maqedonia edhe pse është një nga aleatët më të fuqishëm të Brukselit dhe Uashingtonit, nuk ka arritur të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s. Sipas ish-kryeministrit prioritet i qeverisë së Gruevskit nuk është anëtarësimi në NATO dhe BE. “Po tregohet se për Qeverinë e Gruevskit, NATO-ja dhe Bashkimi Europian nuk janë prioritet dhe ata do të ishin të lumtur, ashtu siç parashohin disa analistë, që përkundër raportit pozitiv dhe rekomandimit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE, Greqia përsëri do të vendosë veton, që të mos bëhet e mundur realizimi i dëshirave të qytetarëvë të Maqedonisë”. Megjithatë për Buçkovskin, armiqtë duhen kërkuar në vend. I pyetur nëse Qeveria është shkaktare e klimës së tensionuar ndëretnike, Buçkovski shprehet se pushtarët gjithmonë kanë pretenduar se po respektohet Marrëveshja Kornizë, por në të vërtetë gjithmonë e kanë anashkaluar atë, duke krijuar tension. Ideja për t’u mbështetur në historinë e lavdishme antike, sipas tij po shkakton probleme serioze. “Me sforcimin e “maqedonizmës” dhe kërkimin e rrënjëve te Maqedonia antike, Qeveria po krijon një atmosferë, e cila, sipas meje, është shumë e brishtë”. Ndërkohë në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën, ai shprehet se në këtë moment, Maqedonia po i kushton rëndësi të veçantë riafrimit me Beogradin. Për këtë arsye po bëhen llogaritje në lidhje me vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike me Kosovën.

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›