E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jemi të angazhuar për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Union”

Zv/kryeministri Meta merr mesazhe urimi nga homologët e tij të Britanisë së Madhe, Danimarkës, Çekisë, Rumanisë, Rusisë, Kinës, Egjiptit dhe Maqedonisë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka marrë një seri mesazhesh urimi, nga homologët të tij të Bashkimit Evropian dhe vendeve të ndryshme të botës. Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Miliband, përmes një telegrami urimi drejtuar zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, nënvizon se ky është momenti më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj evropiane.
Miliband vlerëson se Raporti Final i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut ( ODIHR) për zgjedhjet e 28 Qershorit, Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe Progres Raporti i Komisionit Evropian që pritet të dalë në Tetor, do të jenë referenca të dobishme për Qeverinë, ndërsa duhet t’i japë formë prioriteteve të reformave dhe aktiviteteve imediate për Shqipërinë.
Në të njëjtën linjë është shprehu dhe ministri i Jashtëm i Danimarkës, Stig MØLLER.
Ai shprehet se pret me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shqipërisë dhe Danimarkës gjatë këtij mandati qeverisës.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jan Kohout, në urimin e tij drejtuar ministrit Meta, thekson përkushtimin e dukshëm të Republikës Çeke për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit në BE.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, mori një mesazh urimi dhe nga ministri i Jashtëm i Republikës së Rumanisë, Cristian Diaconesacu.
Ministri rumun shpreh garancinë e tij, se do të ndihmojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së dhe se Rumania është e gatshme të japë ekspertizën e saj në këtë proces.
Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Llavrov, shpreh në mesazhin e tij të urimit se në mandatin që sapo ka nisur qeveria e Berishës, dialogu konstruktiv, i vendosur ndërmjet dikastereve të politikës së jashtme të Federatës Ruse dhe Republikës së Shqipërisë, do të marrë zhvillim të mëtejshëm dhe do të ndihmojë në zgjerimin e lidhjeve me leverdi të ndërsjellët midis vendeve tona, si dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar për të mirën e paqes dhe stabilitetit si në gadishullin e Ballkanit, ashtu edhe në Evropë në tërësi.
Edhe Kina e largët i bashkohet urimeve për formimin e qeverisë së re në Shqipëri.
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Yang Jiechi, përmes një mesazhi urimi i shprehu zëvendëskryeministri dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, urimet e tij për detyrën dhe formimin e qeverisë së re.
Për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme dhe me interes reciprok, shprehet dhe ministri i Jashtëm i Republikës Arabe të Egjiptit, Ahmed Aboul Gheit. Përmes një letre urimi, drejtuar homologut të tij shqiptar, Ilir Meta, nënvizon se 
lidhjet e miqësisë që tashmë ekzistojnë ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen nëpërmjet bashkëpunimit tonë në të ardhmen, për të mirën dhe begatinë e dy popujve tanë. Edhe ministri i Jashtëm i vendit fqinj, Maqedonisë, Antonio Milososki, uron homologun e tij Meta, për detyrën e re dhe shprehet i bindur se vitet në vijim do të karakterizohen nga një ndjenjë e theksuar miqësore ndërmjet dy vendeve, në dobi të bashkëpunimit, për t’i thelluar më tej, në interes të të dy vendeve, por dhe në interes të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik në rajon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›