E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, Holanda dhe Hungaria sigurojnë Shqipërinë se do ta mbështesin në procesin integrues për në BE

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta takime intensive në Nju Jork

Dy vendet e Bashkimit Evropian, Italia, Hollanda dhe Hungaria, premtojnë mbështetje të pakufizuar për Shqipërinë në procesin e integrimit të shpejtë në BE dhe atë të heqjes së liberalizimit të vizave. Kjo i është komunikuar dje zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë një takimi të zhvilluar dje në Nju Jork, me ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Fratini, atë holandez Maxime Verhagen, dhe atë hungarez, Peter Balazh. Në këto takime u diskutuan çështje që lidhen me integrimin evropian të vendit, procesin e liberalizimit të vizave si dhe me intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Meta vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe me vendet respektive dhe njëkohësisht u kërkoi kolegëve të tij evropianë mbështetjen e tyre për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Evropian, si dhe për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave të BE-së me vendet e rajonit.
Nga ana e tyre, ministrat e Jashtëm i shprehën Meta sigurimet e mbështetjes së vendeve të tyre për procesin integrues të Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave, duke nënvizuar edhe nevojën e përmbushjes së kushteve teknike, në kuadrin e këtij procesi.
Ministri italian Fratini u shpreh optimist për marrjen, brenda këtij viti, të vendimeve të rëndësishme e pozitive të BE-së, lidhur me Shqipërinë; ministri i Jashtëm hungarez Peter Balazh ofroi ndihmën e vendit të tij në arritjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke ofruar asistencë në fushën e menaxhimit të kufirit, ku vendi i tij ka eksperiencë të pasur.
Ministri i Punëve të Jashtme, zhvilloi edhe një seri takimesh të tjera. Me ministrat e Jashtëm të Bahreinit, Ukrainës e Salvadorit, biseda u përqendrua kryesisht mbi zhvillimet në Kosovë dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›