Gjermania rikonfirmon përkrahjen e perspektivës evropiane të Shqipërisë
Kancelarja Merkel uron kryeministrin Berisha për mandatin e dytë
Kancelarja Merkel i premton kryeministrit Berisha, mbështetje të pakufizuar ndaj projektit të tij, për integrimin e Shqipërisë në BE. Ajo thekson se realizimi i reformave dhe kushteve të BE, do ta bëjnë më të afërt ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në Union
Kryeministri Sali Berisha vazhdon të marrë mesazhe urimi për fitoren e Partisë Demokratike, në zgjedhjet e 28 qershorit dhe rikonfirmimin e tij në postin e kreut të qeverisë shqiptare. Një mesazh të tillë Berisha e ka marrë dje dhe nga Kancelarja e Republikës Federate të Gjermanisë Angela Merkel. Pasi e përgëzon përzemërsisht kryeministrin me rastin e rimarrjes së detyrës Merkel vijon letrën e saj duke shkruar se Gjermania do të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Ju jeni vënë në krye të kësaj detyre në një periudhë të rëndësishme për vendin Tuaj. Ne arritëm të realizojmë anëtarësimin e vendit Tuaj në NATO në muajin prill, pikërisht në kohën e organizimit të Samitit të NATO-s në Gjermani dhe Francë. Unë Ju uroj Ju dhe bashkëqytetarëve Tuaj të keni forca të mëtejshme për reformat e nevojshme në funksion të vijimit të suksesshëm të procesit të përafrimit euroatlantik”, shprehet kancelaria gjermane. Kancelarja Merkel garanton se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në këtë rrugë edhe në të ardhmen.
Një mesazh urimi Berisha ka marrë dhe nga homologu i tij çek Kryeministri Jan Fischer. Në letrën e tij Fischer vlerëson zhvillimin intensiv të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Çekia shkruan ai ka një interes të lartë në thellimin e marrëdhënieve të dyanshme dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Berisha ka marrë mesazhe urimi, me rastin e detyrës së re nga kryeministri kinez Ëen Jiabao dhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Gjithashtu edhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanoviç, i përcolli dje kryeministrit Berisha, urimet e tij për riemërimin në krye të qeverisë shqiptare. Kryeministri malazez u shpreh se “bashkëpunimi ynë i suksesshëm, i bazuar në kuptimin dhe mbështetjen e ndërsjellë, do të vazhdojë në rrugën drejt synimeve strategjike të përbashkëta evropiane dhe euroatlantike, në të mirë të popujve dhe vendeve tona dhe rajonit ku ne banojmë si një i tërë”.