“Vendet e BE-së, së shpejti përgjigje pozitive për Shqipërinë si vend kandidat”

Kryeministri Sali Berisha flet nga Nju-Jorku për axhendën e vizitës së tij në SHBA, si dhe për takimet e mbajtura gjatë punimeve të sesionit të radhës të OKB-së. Ai ndalet edhe njëherë tek ndjenjat miqësore që çifti presidencial i SHBA-ve ushqejnë për kombin shqiptar
Nga New Yorku-u, ku Kryeministri Sali Berisha ndodhet prej ditësh, si pjesë të axhentës së tij, ka jo vetëm mbledhjen e Asamblesë së OKB-së, por edhe një sërë aktivitetesh të tjera. Kjo axhentë e Kryeministrit, është komentuar nga ai në një intervistë televizive, ku ka vlerësuar takimin me Presidentin amerikan Barack Obama, dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë, vizitën në bursën e NASDAQ-ut. Berisha ka folur edhe për perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe për liberalizimin e vizave, procese ët cilat si Kryeministrit të Shqipërisë do të marrin së shpejti përgjigje pozitive, falë vullnetit të vendeve anëtare të këtij blloku.
Zoti Kryeministër ju dje keni mbyllur bursën e NASDAQ. Kur do të hapni bursën e Shqipërisë?
Ishte një moment solemn, me një simbolikë shumë të fuqishme. Imagjinoni ju, kryeministri i Shqipërisë të mbyllë ditën e bursës më të fuqishme dixhitale të botës, më transparente, bursës që liston 3200 kompani të teknologjive më të avancuara, kompani që kanë ndryshuar faqen e botës. Natyrisht e para gjë që më erdhi ndër mend, përveç suksesit të madh të kapitalizmit ishte NASDAQ-u shqiptar dhe kompanitë shqiptare të listuara në NASDAQ. Nga 35 vende ndodhen kompani të listuara. Kam besimin më të madh te gjenia e iniciativës së lirë të biznesit shqiptar se nuk do të jetë e largët dita, kur kompanitë shqiptare të listohen me kompanitë e tjera botërore në bursën më të fuqishme më transparente, më dixhitale të planetit.
Këshilli i Sigurimit ka pasur dje një diskutim mjaft të rëndësishëm. Si e përcollët ju atë?
Mendoj se momenti më kulmor dhe suksesi më i madh i këtij sesioni, ishte seanca e djeshme e Këshillit të Sigurimit, seancë e cila u zhvillua një ditë pasi Presidenti Obama, presidenti Sarkozy, presidenti Hu Jintao, presidenti Medvedev, kryeministri Gordon Brown shprehën qëndrimet e vendeve të tyre për problemet madhore politike të botës. Ajo ç’ka spikati në fjalën e presidentit Barack Obama, i cili analizoi në fjalën e tij 4 shtylla përcaktuese për të ardhmen e njerëzimit dhe si shtyllë të parë presidenti paraqiti çarmatimin bërthamor, si një kusht përcaktues për të zvogëluar aftësitë vrasëse të njeriut. Po në këtë linjë, një ditë prapa, u mblodh Këshilli i Sigurimit, i kryesuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama për shkakun se kryesinë e këshillit e kanë Shtetet e Bashkuara në këtë muaj dhe të pranishëm qenë kryetarët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit, por edhe presidentë apo kryeministra të vendeve anëtare të përkohshëm të Këshillit të Sigurimit. Presidenti Obama bëri sërish një ekspoze. Në fjalën e tij, ku theksoi se për të për ardhmen e paqes dhe njerëzimit një rëndësi parësore ka çarmatimi bërthamor. Fjala e tij u mbështet fuqishëm nga kryetarët e vendeve dhe të qeverive
të pranishëm në sallë.
Zoti Kryeministër, a mendoni të arrini ta bindni Presidentin Obama ta vizitojë Shqipërinë? Duket se keni gjetur tashmë edhe një aleate të fortë, bashkëshorten e tij.
Unë mendoj se Presidenti dhe First Lady, do të vizitojnë Shqipërinë dhe ajo çka unë konstatova në atë bisedë të shkurtër, ndjenjat më miqësore për Shqipërinë dhe shqiptarët. Presidenti dhe zonja e parë na thanë se ne në Çikago kemi punuar me shqiptarë dhe kemi përshtypjet më të mira. E sigurova presidentin se në Shqipëri do të gjejë një komb mik që e do shumë presidentin Obama dhe Shtetet e Bashkuara dhe se vizita e tij pritet nga të gjithë shqiptarët.
A ka ndonjë gjë nuk shkon në Bashkimin Evropian për sa i përket shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për vend kandidat?
Absolutisht, ekziston vullneti i plotë i këtyre vendeve dhe jam i bindur se shpejt do ta shqyrtojnë dhe do të japin përgjigjen më të mirë, pozitive për Shqipërinë.
... Edhe për vizat?
Edhe për vizat, jam shumë i sigurt. Ka një skedulë, ka një axhendë për to, e cila po zhvillohet sipas përcaktimeve të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Komisionit Evropian. Ne po ecim me pasaportat biometrike. Nuk mund të mohohet se kemi qenë më mbrapa se vendet fqinje me këto dokumente që janë shumë të rëndësishme dhe Komisioni Evropian ka tendencën ta vlerësojë këtë dhe jo ta injorojë një të tillë. Pra unë jam fare optimist se nuk ekzistojmë më probleme politike, janë teknikalitete që kërkojnë të zgjidhen dhe Shqipëria, brenda vitit të parë të mandatit të kësaj qeverie, do të marrë vendimin për liberalizmin e vizave.
Kryeministri viziton dhe mban një fjalim në bursën e NASDAQ
“Shqipëria do ketë këtë vit rritjen më të madhe ekonomike në Evropë
Kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar në bursën NASDAQ të Nju Jorkut, ku përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv, foli për reformat në Shqipëri dhe ambicine e shprehur tashmë, për hapjen e bursës edhe në Tiranë.
Gjatë kësaj ceremonie që tashmë është kthyer në një ceremoni tradicionale dhe mjaft popullore për New York, kryeministri Berisha u prit nga zëvendëspresidenti i NASDAQ, i cili e shoqëroi kryeministri Berisha në ambientet ku kjo ceremoni zhvillohet. Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, mbajti një fjalim të gjatë, i cili u transmetua “live” në televizionet prestigjioze me profil ekonomik si CNBC, Bloomberg, FOX Business. Berisha falënderoi zëvendëspresidentin e NASDAQ për ceremoninë e organizuar duke e cilësuar atë si inkurajim për investitorët shqiptarë.
“Unë jam shumë i lumtur dhe i nderuar që jam sot këtu dhe dua t’ju falënderoj për këtë ditë shqiptare në NASDAQ. Është një nder të jesh sot në këtë bursë, e cila konsiderohet si bursa më transparente, me efecientë dhe më e fuqishmja për kompanitë, të cilat me performancën e tyre kanë ndryshuar më shumë se çdo gjë tjetër, botën. Z. Zëvendëspresident, unë gjithashtu jam i lumtur që jam këtu sot, si përfaqësues i një vendi të vogël, por një vendi, ekonomia e të cilit ka pasur një performancë shumë të mirë. Këtë vit vendi im do të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Evropë. Dhe si ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur pasi ne kemi ndarë të njëjtat principe që NASDAQ ka zbatuar që prej themelimit të vet. Unë jam gjithashtu mirënjohës, pasi prezenca ime këtu, është një inkurajim i madh për sipërmarrësit shqiptarë, të cilët po punojnë fort për t’u afruar sa më shpejt me ditën kur Shqipëria, të ketë NASDAQ-un e vet për kompanitë shqiptare”, u shpreh kryeministri Berisha.
Deklaron ambasadorja britanike
Qeveria “Berisha” ka mbështetjen tonë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE
Britania e Madhe vlerëson procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe njeh institucionet legjitime të dala nga këto zgjedhje. Kështu u shpreh dje ambasadorja britanike në vendin tonë, Fiona Mcllëham, duke konfirmuar se “qeveria e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit ka mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar në rrugën e saj të integrimit evropian”. Gjatë një takimi me studentët e Universitetit publik të Vlorës me të cilët ka diskutuar rreth perspektivës evropiane të Shqipërisë. Mcllëham tha se deklaratat e kryeministrit Berisha dhe zëvendëskryeministrit Meta për vazhdimin e mëtejshëm të reformave janë tepër inkurajuese. Lidhur me vendimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin ambasadorja britanike u shpreh se vëmendja e të gjithëve tashmë është e fokusuar në integrimin evropian të vendit, proces në të cilin duhet të përfshihet edhe opozita. Mcllëham u shpreh se zgjedhjet e 28 qershorit shënuan një arritje për Shqipërinë.
Zonja Ambasadore, duke përfituar nga fakti se jeni e pranishme në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Vlorës, cili është mendimi dhe vlerësimi juaj për proceset integruese të Shqipërisë, në Bashkimin Evropian?
Bashkimi Evropian është i hapur për aplikim dhe ua ka bërë të qartë këtë qëndrim të gjitha vendeve të rajonit. Në kuadrin e këtij qëndrimi dhe kësaj politike, BE mbështet të gjitha vendet e rajonit për të fituar statusin e vendeve kandidate dhe për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, Qeveria Shqiptare me anë të kërkesës për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtar në BE, ka shprehur vullnetin e saj për t’u integruar dhe për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Roli i Qeverisë Britanike dhe punës që bën ambasada aktualisht, është që të ndihmojmë më tej Shqipërinë në këtë proces.
Si e vlerësoni perspektivën e kësaj kërkese që pritet të shqyrtohet?
Ende jemi në pritje. Nuk ka filluar akoma diskutimi brenda vendeve të BE-së. Do të fillojë një diskutim dhe në përfundim të tij, do të vendoset nëse kjo do të referohet për më tej.