E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi, ende në pikëpyetje kandidatura për kryetar

Deputeti Ben Blushi ishte i pari që theu heshtjen pas zgjedhjeve të 28 qershorit, duke deklaruar se PS-ja i ka humbur zgjedhjet dhe duhet të bëjë një analizë të thellë. Qëndrimi i tij u bë edhe më i qartë me afrimin e Asamblesë Kombëtare kësaj partie, ku Blushi bëri një analizë të arsyeve që, sipas tij, e çuan partinë drejt humbjes. Ai kërkoi që Rama ta zbatojë nenin e statutit për largimin e tij, por të mos rikandidojë më. Ndërsa është futur për të pasur sa më shumë bashkëpunëtorë në mënyrë që idetë e tij të gjejnë mbështetje në kongres, Blushi është bërë edhe më kritik ndaj drejtuesit të selisë rozë. "Rama nuk bëri asnjë betejë me Sali Berishën dhe kjo është një zgjidhje e tij. Në gjashtë muajt e fundit të fushatës nuk bëri një betejë me Berishën, duke iu shmangur asaj dhe vota e shqiptarëve u nda në mes së djathtës dhe së majtës. Në dy-tre zgjedhjet e fundit kanë votuar në mënyrë të ngjashme dhe i takonte liderit të PS-së të bënte diferencën në çastet e fundit", është shprehur një javë më parë, ndërsa i mbeti qëndrimit se "nëse zgjedhjet humben, duhet të ndryshojë partia apo lideri?!". Sakaq, ai nuk e ka sqaruar ende pozicionin e tij sa i përket garës për postin e kryetarit të partisë, edhe pse në ambientet politike flitet mjaft për të. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Blushi dhe disa anëtarë të kësaj strukture paraqitën një rezolutë, e cila kishte disa pika kryesore. Blushi kërkoi që zgjedhjet të vlerësoheshin me probleme dhe për këtë faji mbetet mbi Kryeministrin Berisha. Njëkohësisht, ai kërkoi të njihet rezultati dhe PS të hyjë në Parlament shoqëruar me një analizë të thellë të arsyeve që çuan në këtë rezultat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›