Malaj: Rama t‘i përmbahet filozofisë së moskandidimit
Një nga pikat ku Arben Malaj bashkohet mjaft me anëtarin e kryesisë, Ben Blushi, është çështja e mosrikandidimit të Ramës. Paralelisht me prezantimin e rezolutës së tij, deputeti i selisë rozë dëshiron të besojë se kreu i PS-së, Edi Rama, do t‘i përmbahet frymës pozitive që ai ka sjellë në parti. "Mendoj se një nga mësimet e para që ka marrë Partia Socialiste nga humbja e saj është kufizimi i demokracisë së brendshme, krijimi i modelit të keq politik me një lider absolut, me idenë që ai do të kishte përgjegjësi absolute për humbjen. Ky eksperiment doli pa sukses dhe ndoshta nuk do të jetë më i vlefshëm as për Partinë Socialiste, por as për partitë e tjera politike shqiptare. Unë besoj shumë që Rama t‘i përmbahet filozofisë së tij dhe një nga këto elemente është edhe mosrikandidimi, pasi i është ndërprerë mandati për shkak të një humbjeje", është shprehur Malaj. Sakaq ai ka sqaruar se kjo nuk është sfidë personale, por Rama "duhet të mbahet mend më tepër si një njeri që solli përgjegjësi për rastet e humbjeve se sa si një njeri që, për interesa dhe solidaritet të momentit, do ta shkarravitë këtë filozofi dhe këtë paragraf të statutit të Partisë Socialiste". Malaj është një ndër Anëtarët e Asamblesë që nuk ka marrë pjesë në votimin për rezolutën e Ramës, edhe pse ajo përfshinte një ndër pikat me kryesore për të, pjesëmarrja në Parlament në sesionin e ardhshëm. Një ditë më vonë, Malaj shpjegoi abstenimin e tij. "Në një parti moderne demokratike, votimi i rezolutave nis nga propozimi i grupit më të vogël, në këtë kontest, duhej votuar rezoluta e kolegëve deputetë përpara rezolutës së kryetarit. Në kushtet kur edhe ky parim demokratik u shkel, rruga më e mirë që unë shpresoja se do të bënin të gjithë kolegët propozues të rezolutës alternative do të ishte mosmarrja pjesë në votim për rezolutën e Ramës", është shprehur ai.