E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjysmohet fondi për rritje pensionesh

Pensionistët nuk do të kenë fatin e mirë për të marrë më shumë të ardhura, sikurse ndodhi këtë vit zgjedhjesh. Në vitin 2010 nuk parashikohet rritje pensionesh të përmasave elektorale, duke u mjaftuar në disa shtesa modeste. Paralajmërimi vjen nga Ministria e Financave, e cila në projektbuxhetin e vitit 2010 ka vendosur një shifër dy herë më të ulët në zërin "politikë për rritje pensioni". Konkretisht, në dispozicion të pensionistëve, qeveria ka vendosur një fond prej 2.7 miliardë lekësh, shtesë që do të përdoret për rritjen e zakonshme në muajin korrik të vitit që vjen. Mesatarisht, fondi për rritjen e pensioneve në mesin e çdo viti vlerësohej në rreth 5-5.2 miliardë lekë. Këtë vit, shtesat ishin më të mëdha, 7.7 miliardë lekë, për faktin se efekti për rritjen nisi që nga muaji maj, ndikuar edhe nga fushata elektorale. Pavarësisht se Kryeministri ka premtuar rritje çdo vit me 10-15 për qind të pensioneve në fshat dhe qytet, fondi i përllogaritur për vitin 2010, nuk shkon në të njëjtin parametër.

Politika e qeverisë

Edhe pse ka mbetur pak kohë, deri në miratimin final të projektbuxhetit të vitit 2010, duket se Ministria e Financave e ka planifikuar nivelin e shpenzimeve. Javën e kaluar është miratuar tabela e shpenzimeve për tre vitet e ardhshme, ku vihet re se ulje të fondit për "politikë të re pensionesh" do të ketë edhe në vitin 2011. Megjithatë, pavarësisht planit të Financave për të reduktuar shpenzimet e tepërta, si gjithnjë është Kryeministri ai që vë veton. Madje në disa raste, shifrat e deklaruara nga Berisha për rritje pensionesh kanë befasuar ekspertët e ministrisë, duke i detyruar ta hartojnë nga e para efektin financiar në buxhet. Nuk dihet ende se çfarë vendimi do të merret, por shifrat e deklaruara deri tani dhe të miratuara në Këshillin e Ministrave, tregojnë se nuk do të ketë më rritje pensionesh si të vitit 2009. Në këtë pikë kuptohet qartë se rritja e tyre u bë thjesht për qëllime fushate, jo se qeveria ka një strategji të qartë për reformën në pensione.

Treguesit në rënie

Për rreth 520 mijë pensionistët në fshat dhe qytet, qeveria do të shpenzojë në vitin që vjen, 80 miliardë e 917 milionë lekë, afërisht 10 miliardë më shumë se 2009-a. Ky është totali i llogaritur për pensionet që ndahen çdo muaj dhe nuk ka të bëjë me shtesat që miratohen në qershor. Duke i marrë së bashku, fondi i shpenzimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore parashikohet të jetë 106 miliardë e 366 milionë lekë ose 8.27 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Duhet theksuar se 2.7 miliardë lekë të vendosura për rritje pensioni dalin nga rezerva e shtetit (kontigjenca), për pasojë qeveria ndan edhe 8.3 miliardë lekë të tjera, të nevojshme për subvencionimin e humbjeve të shkaktuara nga raporti pensionist/kontribuues. Shifrat zyrtare tregojnë se numri më i madh i pensionistëve ndodhet në qytet, rreth 370 mijë.

Shtesat

Rritja e pagave,

3 miliardë lekë

Ndryshe nga pensionet, qeveria e ka mbajtur të njëjtë parametrin e rritjes së pagave për punonjësit buxhetorë. Afërsisht 3 miliardë lekë është fondi i parashikuar për "politikë të re pagash", i mundësuar nga rezerva e shtetit. Vendosmëria e Kryeministrit për të rritur çdo vit pagat për buxhetorët duket se do të qëndrojë edhe vitin tjetër. Në total, për pagat e punonjësve të saj, shteti ka llogaritur të shpenzojë 55 miliardë e 417 milionë lekë, rreth 4 miliardë më tepër. Tjetër detaj në buxhet shikohet dyfishimi i fondit për rritje pagash në vitin 2011, periudhë kur zhvillohet fushata për zgjedhjet lokale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›