E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, Minatorët: Ulni moshën, po vdesim para kohe

Pas premtimeve të shumta dhe shumë pak realizim, sindikatat e minatorëve dhe profesioneve të vështira, i kanë dërguar Kryeministrit dhe institucioneve përkatëse, propozime për uljen e moshës së daljes në pension. Grupimi Sindikalist kërkon rishikimin e premtuar të ligjit "Për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore", duke propozuar daljen në pension, 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë. Sipas tyre, profesioni i vështirë i minatorit nuk lejon jetëgjatësi deri në 65 vjeç, mosha aktuale me ligj e daljes në pension. "Jetëgjatësia mesatare e punonjësve me profesione të vështira si në industri minerare, të naftës dhe të gazit, metalurgji, gjeologji, industri kimike, fabrika, etj., rezulton sipas studiuesve rreth 60 vjeç", thekson shkresa e datës 21 korrik, drejtuar Kryeministrit dhe institucioneve të tjera të larta.

Prej vitesh, minatorëve u janë premtuar kushte më të mira në punë si dhe rishikim të ligjit për daljen në pension. Jo vetëm që nuk është bërë gjë, por madje, ata tregojnë se, mosha e daljes në pension është rritur. Grupi Sindikalist propozon dalje në pension edhe në moshën 58 vjeç për punonjësit e administratës në terren. Ata mendojnë se miratimi i ndryshimeve në ligj "i jep mundësi hapjes së vendeve të reja të punës për brezin e ri dhe të aftë për ta ushtruar profesionin". Nga miratimi i këtyre propozimeve, mund të përfitojnë rreth 3 mijë punëtorë nga i gjithë vendi, të cilët ushtrojnë profesione të vështira, cituar më lart.

Gjatë fushatës elektorale, Kryeministri i vendit, në vizitën e zhvilluar në ndërmarrjen e naftës të "Albpetrol"-it dhe Bashkinë e Patosit, premtoi zgjidhjen sa më shpejt të çështjes për mosdiskriminimin e naftëtarëve, duke theksuar miratimin sa më parë të statusit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›