E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshje e shumëfishtë energjetike Rusi-Turqi

Moska dhe Ankaraja nënshkruan marrëveshje të shumëfishta bashkëpunimi në sektorin energjetik javën e kaluar, njoftoi dje "New York Times". Marrëveshjet do t‘i lejojnë Turqisë të fuqizojë rolin e vet si transportues rajonal i energjisë dhe do t‘i mundësojnë Rusisë të ruajë kontrollin e vet në tregun botëror të gazit. Turqia lejoi kompaninë ruse "Gasprom" të përdorë territorin e vet ujor në Detin e Zi, për ndërtimin e gazsjellësit "Rryma e Jugut", një projekt që synon të furnizojë me gaz rus Ballkanin, duke anashkaluar territorin e Ukrainës. Turqia pranoi gjithashtu mbështetjen ruse për të ndërtuar një naftësjellës që synon të lidhë Detin e Zi me Detin Egje, duke shmangur ngushticën e Bosforit. Ky naftësjellës duhet të kalojë vetëm në territorin e Turqisë dhe i intereson Moskës për të ruajtur kontrollin e naftës së Detit Kaspik. Në këmbim, Moska i premtoi Ankarasë se do t‘i shesë teknologjinë e nevojshme për të ndërtuar termocentrale bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike.

Turqia gjendet në një pozicion komod gjeopolitik në diskutimet për rrugët e furnizimit me energji të Europës, pasi gjendet mes zonave naftëmbajtëse të Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme. Analistët kanë hedhur më herët hipotezën se Ankaraja po përdor pozicionin e vet gjeostrategjik për të ushtruar presion politik mbi Francën dhe vendet e tjera të BE-së që janë armiqësore kundrejt integrimit të saj në Bashkimin Europian. Marrëveshjet e reja me Moskën bien ndesh me dëshirat e Bashkimit Europian dhe Perëndimit për të rritur sigurinë e tyre energjetike dhe për t‘u larguar nga varësia e Rusisë në këtë fushë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›