E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi mbledh të vetët, shpërndan detyrat për në bazë

Autori i Lajmit: red.
Grupi i mbështetësve të kandidatit për kreun e PS-së, Ben Blushi, ka nisur takimet intensive për Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste. Grupi i mbështetësve të Ben Blushit është mbledhur në selinë e kryesisë tek zyra e nënkryetarit të Parlamentit, Ylli Bufi, për të diskutuar dhe vendosur mbi ecurinë dhe zhvillimet e mëtejshme me bazën socialiste. Në këtë takim të pranishëm ishin Ben Blushi, Kastriot Islami, Anastas Angjeli, anëtarja e kryesisë, Saimira Pinaj, Eva Allushi dhe Edlira Haxhiymeri, Rrapush Tola e të tjerë. Burime të brendshme nga takimi bëjnë të ditur se temë kryesore e diskutimit ka qenë ndarja e zonave të punës për grupin e mbështetësve të kandidatit Ben Blushi dhe diskutimi që do të bëhet me delegatët në kuadër të kongresit të 29 gushtit. Anëtarët kanë vendosur që të zhvillojnë takime intensive dhe diskutime me të gjithë delegatët në mënyrë që në kongres të ketë një numër të madh përfaqësuesish, të cilët do të kërkojnë moskandidimin e kryetarit Edi Rama. Në këtë takim ka munguar Arben Malaj, i cili prej ditësh ka shpallur kandidaturën e tij për Kryetar të Partisë Socialiste duke u mbështetur nga një tjetër grup brenda PS-së. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste votoi ditë më parë rezolutën e Edi Ramës dhe rrëzoi rezolutën e Ben Blushit, ky i fundit ka nisur punën me bazën dhe grupin e mbështetësve në kryesi për të shkuar të përgatitur dhe me një platformë të qartë në Kongresin e 29 gushtit.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›