E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dick Marty në Shqipëri për të hetuar trafikun e organeve

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Trafiku i organeve

I dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Marty, mbërriti dje në Shqipëri për të hetuar mbi akuzat e ngritura nga Beogradi, sipas të cilit kryengritësit shqiptarë kanë rrëmbyer pjesëtarë të komunitetit serb gjatë luftës dhe më pas kanë trafikuar organet e tyre. Marty, në axhendën e tij, ka parashikuar takime me qeveritarë shqiptarë dhe një takim me kryeprokuroren Ina Rama, me të cilën pritet që të bisedojë më në detaje për hetimin në fjalë. Marty është në vendin tonë për të mbledhur prova në lidhje me trafikun e organeve siç pretendon pala serbe. Pas një vizite të iniciuar në Beograd, dje Marty mbërriti në Shqipëri për të vijuar me rrugën e hetimeve për të mësuar njëherë e mirë të vërtetën e kësaj historie, e cila doli në dritë nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte. Senatori zviceran, Dick Marty, vjen në Shqipëri për të hetuar pohimet sipas të cilave veprimet e tilla janë kryer në një shtëpi në Burrel dhe bëhet e ditur se në fund të vizitës së tij faktmbledhëse, i dërguari i Këshillit të Evropës pritet të lëshojë edhe një raport përkatës.
Hetimi
Ndërkaq, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, autoritetet serbe i kanë thënë senatorit Marty se kanë prova për të paktën dhjetë raste të tilla, ndërsa dyshojnë për një numër më të madh të tyre.
Kurse Prishtina i mohon kategorikisht akuza të tilla. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se këto janë përpjekje për të dëmtuar luftën e ish-Ushtrisë Çlirimtare, të imazhit të shtetit të ri, por edhe siç thotë ai, përpjekje për të vendosur një baraspeshë nga ana e Beogradit, i cili është përgjegjës për shumë mizori të kryera në Kosovë. “Ajo që dua të them është se populli i Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka bërë luftë të drejtë. Ne kemi bashkëpunuar shumë ngushtë në çdo rast edhe me Tribunalin e Hagës edhe me drejtësinë vendore e ndërkombëtare dhe është vërtetuar shpeshherë se spekulime të tilla, kanë dalë vetëm spekulime. Unë jam i bindur se edhe në këtë rast do të jetë e njëjta gjë. Qeveria e Kosovës, populli i Kosovës kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me mekanizmat ndërkombëtarë, por gjithmonë të kujdesshëm që spekulimet e tilla të mos e dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe që spekulimet e tilla të përfundojnë si spekulime”,- tha ai.
Media
Gazeta Ekspres në Kosovë zbulon se Dick Marty është një hetues i njëanshëm, pasi ai njihet për deklaratat anti-Kosovë që ka dhënë pak ditë pas shpalljes së pavarësisë. “Dick Marty është caktuar nga Këshilli i Evropës për të hetuar edhe një herë pohimet e Karla del Pontes se UÇK-ja ka trafikuar organet e viktimave serbe gjatë luftës në Kosovë. Por, për këtë zvicerani Marty duket të ketë një motiv shtesë. Ai ishte kundërshtari më i ashpër i pavarësisë së Kosovës në Zvicër”,- shkruan “Ekspres”. Më poshtë gazeta publikon një intervistë të gjatë që Marty ka dhënë për gazetën zvicerane, “Tages – Anzeiger” që është botuar vetëm tri ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Marty është shprehur se UÇK-ja ishte bashkëfajtore për luftën e vitit 1998-99. Në këtë intervistë, Marty thotë se Kosova është qendra kryesore e trafikimit të njerëzve, drogës dhe armëve. Ai është i bindur se të gjithë prokurorët në Evropë që ndjekin ndonjë rast kriminal, rruga i çon në Kosovë. “Express” sjell intervistën e Dick Marty, i cili pas dy ditë qëndrimi në Beograd, sot do të vizitojë Shqipërinë për të vazhduar hetimet për trafik organesh.
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›