Turpi i edvinistëve: i Ramës, Fidelit dhe Dashnorit, tallen me shqiptarët, por zotërojnë pasuri marramendëse ekstraligjore
Partia Demokratike ka denoncuar aksionin e koordinuar të Edi Ramës dhe partnerëve të tij, të cilët janë konvertuar ligjërisht në varfanjakë, por zotërojnë shuma të konsiderueshme të ardhurash abuzive, të cilat fshihen pas ortakëve në biznes
TIRANE - Kryesocialisti Edi Rama, ka bërë se fundi deklarime të rreme pasurie, duke bërë kështu një tjetër shkelje ligjore, krahas atyre që tashmë rëndojnë mbi të. Megjithë fitimet marramendëse, të cilat sigurohen në sajë të ryshfeteve dhe abuzimeve me postin e kryetarit të bashkisë dhe lidhjeve nepotike, pak ditë më parë, Rama bëri publike vetëm fitimet e tij nëpërmjet rrogës, nga e cila nuk i ngeleshin më shumë se 40 mijë lekë të reja në muaj. Duke fshehur kështu shumat e pa dokumentuara, të cilat, pavarësisht, janë artikuluar në faktet dhe dokumentet që mbeten objekt hetimi nga komisioni parlamentar dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, që po hetojnë në thelb veprimtarinë e kryebashkiakut, Edi Rama, në krye të këtij institucioni dhe miqve të tij të afërt. Duke marrë shkas nga një deklaratë e përfaqësuesve të PS-së, të cilët iu referuan deklarimeve pasurore të zyrtarëve të kryeministrit Sali Berisha dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar, dhe duke akuzuar për deklarime jo të vërteta, Partia Demokratike e hodhi poshtë këtë akuzë dhe theksoi se objekt hetimi janë lejet e ndërtimit të Edvinit, përfituese të të cilave janë Shkreli, Eftimiu, Fideli dhe Dashnori. “Zonjushëza Spiropali me sa duket ka marrë për mision avokatinë e humbësit të madh Edi Ramës për qytezën Delijorgji, për 70 për qind e lejeve të dhëna studiove të Shkrelit dhe Eftimit, objekt i hetimit të Komisionit Parlamentar. Avokatët e Kryetarit mandat prerë të Partisë Socialiste përpara së gjithash të përgjigjen se çfarë e shtyn z. Rama të japë leje dhjetëra katëshe ndërtimi mbi monumente kulture qindravjeçare si Varri i Kapllan Pashës ku po ndërton Fideli apo Ura e Tabakëve ku po ndërton Dashnori? Turpi është për z. Rama dhe Fidelët e Dashnorët e tij”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike. Ajo deklaroi se Rama po tallet me shqiptarët dhe njëherazi, ironizoi se pasuria e tij është në limitet e varfërisë. “Z. Rama në deklaratën e depozituar ka deklaruar se ka 400.000 lekë të vjetra të kursyera nga paga në llogarinë e tij bankare. Pra praktikisht z. Rama deklaron se ka në llogari aq sa ka pagën mujore një punonjës i thjeshtë në bashkinë e tij”, tha ajo. Lidhur me këtë fshehje abuzive dhe njëherazi të turpshme, Partia Demokratike është e gatshme të hapë një llogari bankare për kryetarin e bashkisë që strehohet në kullën e Myslym Pezës dhe fton të gjithë shqiptarët të kontribuojnë me aq sa kanë mundësi, për të zbutur varfërinë e skajshme të z. Rama Më herët Partia Socialiste u shpreh nëpërmjet Elisa Spiropalit, se kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit fshehin pasuri të padeklaruara. Ndonëse, realisht, ajo që linte për të dëshiruar ishte vetë deklarimi pasuror i Edi Ramës, që sipas të dhënave të publikuara në ILDKP, ai ishte zyrtari me më pak të ardhura dhe se mbahej vetëm me rrogën e tij. Por mashtrimet dhe gënjeshtrat e Edi Ramës, nuk mund të shkojnë shumë larg, sepse tashmë është e njohur botërisht se ai, jo vetëm nëpërmjet gjobave, për çdo lejet ndërtimi, por edhe nëpëmjet qytezave që ka ndërtuar me Delijorgjin dhe ndërtesat gjigante, me Fidelit dhe Dashnorin, pas të cilave, sigurisht fshihen shuma të mëdha fitimi, të cilat, personat e lartpërmendur nuk i kanë deklaruar, duke bërë kështu, qëllimisht dhe me vetëdije, shkelje ligjore. Ndaj edhe Rama duhet të përballet jo vetëm me shkeljet dhe abuzimet emrat e të cilave mbajnë emrin e tij dhe të hispanikëve si Fideli dhe Dashnori, me të cilët është i lidhur fort shpirtërisht, por edhe me akuzat e pabaza që ngre dita-ditës. Deklaron deputeti demokrat Edi Paloka: “Rama ka realizuar mega-korrupsion në bashki, me fondet e qeverisë dhe paratë e taksapaguesve” TIRANE - Partia Demokratike zotohet se do të çojë deri në fund çështjen e ngritur, për të hetuar në thelb shkeljet ligjore të bëra nga bashkia e Tiranës, lidhur me lëshimin e lejeve të ndërtimit. Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi dje se parlamenti do ta ndjekë me angazhimin më serioz rastin flagrant të shkeljes së ligjit mbi konfliktin e interesit në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Tiranës (KRRT). Paloka informoi se pas një hetimi të gjerë administrativ në KRRT, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë (ILDKP) ka zbuluar se anëtari i këtij këshilli, Alban Eftimi ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Në 19 maj të këtij viti, komisioni hetimor parlamentar që hetoi praktikat dhe procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në bashkinë e Tiranës, dërgoi në ILDKP dhe në Prokurorinë e Përgjithshme raportin përfundimtar të hetimit. Deputeti demokrat, Edi Paloka theksoi se “në këtë raport faktohet në mënyrë të qartë rasti i mega-korrupsionit që kryetari i bashkisë, Edi Rama ka realizuar me fondet e qeverisë dhe paratë e qytetarëve shqiptarë, nëpërmjet modelit të Eftimëve”. Duke siguruar se PD do të reagojë në mënyrën më të vendosur dhe do ta çojë deri në fund këtë çështje, Paloka tërhoqi vëmendjen se “Prokuroria e Përgjithshme qëndron në gjumë pas gjithë këtyre denoncimeve”. “Prokuroria e Përgjithshme po vërteton edhe njëherë se në kundërshtim me detyrën ndaj parlamentit dhe ligjit mbetet ende një instrument politik i përdorur nga kreu i opozitës së majtë”, tha Paloka. Deputeti i PD-së tha në përfundim se “PD nuk do të lejojë që xhepat e shqiptarëve të vidhen prej njerëzve si Edi Rama, që janë mësuar të përdorin korrupsionin si të vetmin mjet përfitimi, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën e përditshme”.
...