E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Demokratike dhe Topalli harrojnë 2 prillin

Nga Armand Maho

Përkujtimi i 2 prillit 1991 ka kaluar në harresë. Partia Demokratike dhe nënkryetarja e saj, Jozefina Topalli, e cila nuk la rrugicë pa përuruar në qytetin e Shkodrës, nuk është kujtuar për ngjarjen ku humbën jetën heronjtë e demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka e Nazmi Kryeziu.

Masakra ende nuk ka një autor, ndërsa mazhoranca prej kohësh flet për pastrimin e figurave, por ka lënë jashtë ligjit që hartoi vetë ajo njerëzit që projektuan këtë ngjarje të rëndë.

Me këtë rast, vetëm deputeti demokrat Aleksandër Biberaj ka bërë një deklaratë për mediet.

“Megjithëse sot mbushen 18 vjet nga masakra e prillit e regjimit komunist, fatkeqësisht ajo ngjarje nuk është zbardhur akoma”, - tha Biberaj.

Më pas Biberaj ka bërë një apel për të zbardhur tragjedinë. “Idealet e dhjetorit ’90 nuk mund të vdesin kurrë. Fatkeqësisht, ish-strukturat e PPSH dhe ish-Sigurimit të Shtetit, që projektuan, ideuan dhe drejtuan këto vrasje të pastra politike janë edhe sot në politikë.

Politika shqiptare nuk u shkëput dhe nuk u pastrua nga e kaluara e inkriminuar regjimit komunist dhe ish-Sigurimit të Shtetit. Pastrimi i politikës nga kjo e kaluar mbetet detyrë imediate e asaj pjese të pastër të politikës shqiptare që lindi në dhjetorin ’90 dhe që përfaqësohet nga idealet dhe idealistët e dhjetorit ‘90”, - vijoi më tej Biberaj.

Edhe në Kuvend kjo ngjarje është përkujtuar, por jo nga deputetët e PD, por nga deputeti demokristian, Frrok Gjini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›