Pësimi i kaluar dhe mësimi i ardhshëm
Opera është e përjetshme si gjini, jo vetëm sepse mbart magjinë e një spektakli shumë artesh.
Në Rilindjen e kulturës njerëzore ideja e bashkëveprimit të të gjitha muzave për të thurur kultin e njeriut e ndezi shkëndinë që u bë e pafikshme, ndërsa sot magjia që përjetohet nga shfaqja njëherësh e shumë arteve është si të përjetosh shfaqjen e një filmi “live” që interpretohet dhe shfaqet njëheri: diçka e pamundur për muzën e shtatë, por e vërtetë për atë që ndodh në skenën operistike.
Pas kësaj vjen ngjallja e interesit publik, pa të cilin magjia e spektaklit operistik nuk ngjit. Vepra kështu duhet të ketë një vlerësim në kohë për të kaluarën, por është më interesante kur i flet dhe realitetit, kur brenda saj gëlojnë ide e motive që barten dhe flasin ende, por jo në kuptimin e ngushtë mediatik, përkundrazi më gjerë, asaj që përbën një fill lidhës mes epokash e shoqërish të ndryshme. “Andrea Chenier”, veç suksesit muzikor në eferveshencë i flet njerëzisht realiteteve dhe madje dhe atij tonit.
E konsideruar si vepër e papranueshme ideologjikisht a reaksionare gjatë monizmit për shkak se zbulonte agresivitetin e “termidorit” francez ndaj individit, lejohej vetëm aria e Gerard-it të cilën e shpëtonte vargu “Armiku i atdheut”, ky apelativ kaq i pëlqyer për frazelogjinë e asaj kohe. Prandaj tenorë të tillë si Stavri apo Gaqo nuk mundën të këndojnë Improvizon e famshme të Andrea Chenier – protagonistit të kësaj vepre që i ka besuar tenorit kryerolin.
Në fakt polemikat, si dhe së fundi, rreth temës së marrëdhënieve të individit intelektual apo krijues me realitetet politike gjatë regjimeve imponuese e aspak tolerante, kanë sjellë shembuj të gjallë se “Andrea Chenier” si arketip është një fat tragjik mëse i përgjallur tek ne. Shihni ato copëza filmike apo ekspoze fotografike ngjethëse nga genocidi i kaluar dhe ideja e pse-së të këtij titulli del vetë në dritë.
Por jo vetëm epoka shoqërore është përgjegjëse, por ne na interesojnë dhe individët e pushtetshëm që mbijnë, në kësi raste të kohëve fatkeqe si edhe ata bartës manish apo motivesh të mbrapshta jashtë kredove politike, që janë Gerard-ë si në këtë opera, që rivalët e paarritshëm të vlerave i inkuadrojnë pa dhimbje në listat e asgjësimit. Pra, ndëshkimi jo për shkak të botëkuptimit. Në këtë ndarje nganjëherë janë vrarë dhe ata që edhe pse kanë menduar në thelb njësoj apo gati njësoj, ndëshkimin kapital e kanë marrë për shkak të supremacisë; asaj intelektuale, fizike apo nga dëshira e posedimit të joshëse. Jo pak herë gjejmë këtu shkaktarët e vërtetë të akteve të krimit nën petkun e të pakorruptueshmëve apo të zbatuesve të paepur të idealeve.
Dhe “Andrea Chenier”, sot kur këndojmë pa frikë më “Improviso“, “Un bel di di maggio”, “Nemico della patria”, etj, na flet pikërisht për sa më sipër.
Këtu dhe është pësimi i kaluar dhe mësimi i ardhshëm prej tij.