Shqipëria, anëtare me të drejta të plota e NATO-s
Shqipëria dhe Kroacia u bënë dje dy vendet e reja të aleancës së NATO-s. Dokumentet përfundimtare të anëtarësimit u dorëzuan të mërkurën paradite në Departamentin e Shtetit.
Zëvendëssekretari i Shtetit, James Steinberg, duke i përshëndetur të dy vendet, tha se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë shënon një arritje të madhe, jo vetëm për qeveritë tyre, por edhe për popujt e këtyre dy vendeve, për vendosmërinë e treguar për të bërë punën e duhur për anëtarësim. NATO, tha ai, i shikon me shumë seriozitet kushtet e anëtarësimit, sepse ato janë shumë të rëndësishme për funksionimin e Aleancës. Aleanca, tha zyrtari i lartë amerikan, kërkon standarde të larta nga vendet anëtare dhe anëtarësimi është një shenjë respekti për përpjekjet e këtyre vendeve.
Shqipëria dhe Kroacia u përfaqësuan në ceremoninë e sotme nga ambasadorët përkatës, Aleksandër Sallabanda dhe Kolinda Grabar-Kitaroviç. Në takimin e lartë të NATO-s, më 3 dhe 4 prill, kryeministrat e Shqipërisë dhe Kroacisë do të marrin pjesë në takim për herë të parë si anëtarë të Aleancës.