E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO përshëndet anëtarësimin e Shqipërisë

Nga Alsat

Lajmi për anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë dhe Kroacisë mbërriti në Bruksel, në momentin kur zëdhënësi i Aleancës tashmë 28-anëtarëshe, James Appathuray, po zhvillonte konferencën e tij për shtyp. Me të marrë mesazhin telefonik nga Uashingtoni, Appathuray ndërpreu konferencën për shtyp për të vijuar me komentin e parë zyrtar të selisë së NATO-s në Bruksel për këtë moment historik.

“Ky është një lajm shumë i mirëpritur. Shqipëria dhe Kroacia kanë punuar shumë fort për të përmbushur standardet e Aleancës në lidhje me demokracinë dhe me situatën e mbrojtjes. Ato kanë kapërcyer atë që jo shumë kohë më parë ishte një periudhë e vështirë e historisë së Ballkanit, për t’u kthyer në kontribuues për stabilitetin rajonal dhe të sigurisë ndërkombëtare nëpërmjet NATO-s edhe para anëtarësimit. Tani ata do të marrin pjesë plotësisht në këtë Aleancë. Ata do të kenë zërin e tyre të plotë e të barabartë me të gjithë aleatët e tjerë, kur NATO të marrë vendimet e saj. Dhe ata do të përfitojnë nga siguria kolektive që ofron Aleanca, por ata do të mbajnë gjithashtu mbi supe përgjegjësitë që kërkon kjo siguri kolektive në mes aleatësh”, - tha Appathuray.

Disa minuta më pas Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, përmes një komunikate përshëndet ngrohtësisht dy anëtarët e rinj në këtë ditë që edhe Scheffer e cilësoi si historike. “Mezi presim shefat e shteteve dhe qeverive të Shqipërisë dhe Kroacisë të na bashkëngjiten në samitin e fundjavës”, - fton Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, duke bërë të ditur zyrtarisht se të martën, më 7 prill, pas samitit të Strasburg/Kehl, në selinë e NATO-s në Bruksel do të zhvillohet ceremonia e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë krah 26 aleatëve të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›